Përsëri shtrenjtohen derivatet në Kosovë, këto janë çmimet aktualisht
Çmimi i derivateve në Kosovë është ngritur përsëri ditëve të fundit. Këto çmime janë rritur për rreth 5 cent në litër.
Kryetari i shoqatës së naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani thotë se kjo ngritje e çmimeve ka ardhur si shkak i ndryshimeve në berzën ndërkombëtare.
Ai ka treguar se aktualisht çmimi i derivateve në Kosovë është 1.15 cent për naftë, ndërsa për benzinë deri 1.16.
“Çmimet janë në rritje. Edhe sa i përket tregjeve ndërkombëtare ka rritje të çmimeve. Organizata prodhues OPEC ka prodhim më të ultë dhe çmimi në treg është ma i lartë. Tek ne aktualisht çmimet sillen nga 1.15 dhe 1.16 cent”, ka thënë Berjani për FaktePlus.
Kurse, gjatë ditës së djeshme një barel naftë është shitur për më shumë se 75 dollarë, për herë të parë deri në fund të tetorit të vitit të kaluar.
Në rritjen e çmimeve të naftës ka ndikuar paralajmërimi për sanksione më të rrepta të SHBA-së kundrejt Iranit.
Çmimi i naftës brent nga dje deri sot është rritur për 78 cent dhe një barel shitet për 75,35 dollarë. Ndërsa nafta e lehtë amerikane është shtrenjtuar për 19 cent dhe sot një barel shitet për 66,08 dollarë./FaktePlus