“Përplasje vëllazërore”, Kosova i reagon Shqipërisë për taksën e re në Rrugën e Kombit
Nga 1 shtatori në rrugën e kombit përdoruesit do të detyrohen të paguajnë edhe një taksë tjetër. Bëhet fjalë për mjetet e tonazhit të rëndë, pronarët e të cilëve do të paguajnë një shumë e cila do të caktohet nga autoritetet shqiptare, kur të shfrytëzojnë “Rrugën e Kombit”. E ndaj kësaj ka reaguar Qeveria e Kosovës, respektivisht ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili i ka thënë FaktePlus se do ta kundërshtojnë taksën shtesë në Rrugën e Kombit.
Mësohet se nga data 1 Shtator i këtij viti, në tollin e pagesës së Rrugës së Kombit do të vendoset edhe peshorja për automjetet e tonazhit të rëndë.
Mirëpo, e gjithë kjo nga autoritetet shqiptare është bërë pa koordinim me institucionet e Kosovës, madje pa i lajmëruar fare se një taksë të tillë do ta qesin për mjetet e tonazhit të rënd.
Ministri në detyrë i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se institucionet e Shqipërisë nuk i kanë informuar fare për një vendim të tillë.
“Jo fare nuk jemi në dijeni, nuk na kanë kontaktuar. Sot gjatë ditës po mundohemi të biem në kontakt me ministren, me homologen dhe të marr sqarime pse kjo, si, sepse nuk na ka pyetur fare askush dhe unë vetëm nga mediat kam dëgjuar”, ka thënë Lekaj për FaktePlus.
Lekaj e ka quajtur të panevojshme një taksë të tillë dhe tha se do t’ia shpreh kundërshtimin e institucioneve të Kosovës, homologes së tij.
“Sa i përket asaj, unë mendoj që nuk ka nevojë për këtë taksë, sepse është një kriter që mbipeshat mund ta prishin rrugën mund të dënohen, por jo që të vëhet taksë. Po, gjithsesi do t’i kërkojë që të ketë mirëkuptim”, ka theksuar Lekaj.
Vendosja e taksës për kalimin e automjeteve në Rrugën e Kombit ishte parashikuar që në vitin 2016, ndërsa nga marsi ka nisur testimi i sistemit
Pagesa bazë mbi të cilën përllogariten të gjithë tarifat e tjera është përcaktuar 4.15 euro pa TVSH. Duke i shtuar edhe taksën tarifa plotësohet në 5 euro. Mbi këtë bazë nisin përllogaritjet e tjera sipas koeficientëve të përcaktuar për lloj mjeti. Kështu për automjetet me tre rrota koeficienti është 0.50 dhe taksa llogaritet në 2.5 euro.
Për automjetet me katër rrota, të kategorisë B, C dhe D, koeficienti është 1dhe taksa llogaritet 5 euro bashkë me TVSH-në. Pikërisht këtu futen edhe autoveturat të cilat janë edhe mjetet më të shumta në numër që qarkullojnë në këtë aks kombëtar. Për autobusët, dhe mjetet e tjera me gjashtë rrota, që hyjnë në kategorinë E dhe F, koeficienti është 2.25.
Pra taksa për ta do të jetë rreth 11 euro. Koeficienti për automjetet me 6 rrota, kamionët e mesëm të kategorisë G, koeficienti është 3.25 dhe taksa për ta do të jetë sipas llogarive është rreth 16 euro. Për kamionët e rëndë të kategorisë H, koeficienti do të jetë 4.5, dhe ata do të paguajnë plot 23 euro./FaktePlus