Përplasje mes SBASHK-ut dhe MASHT-it, Jasharaj tregon arsyen e lëshimit të takimit
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka lëshuar sallën ku po mbahej takimi 2 orësh në mes MAShT-it, SBAShK-ut dhe DKA-ve për të ardhur në një vendim final për kompensimin e orëve të humbura, por prapë rezultoi pa marrëveshje në mes palëve.
Në lidhje me këtë numri një i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj ka sqaruar arsyen e lëshimit të këtij takimi.
Ai në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka thënë se nuk është gjetur një zgjidhje që të përafrohen kërkesat e sindikatës dhe MASHT-it.
Jasharaj tha se në takimet e mëhershme që kanë pasur me MASHT-in, janë dakorduar që të kërkojnë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të ndryshojnë koeficientin për mësuesit e ciklit klasor 1 deri 5 dhe pedagogëve.
Sipas tij, në takimin e sotëm nuk është përkrahur një ide e tillë dhe ministri i Arsimit ka kërkuar kompensimin e orëve të humbura të grevës. Ndaj kësaj Jasharaj tha se në shenjë revolte ata kanë lëshuar takimin.
“Të ju them të vërtetën pas takimeve të zyrtarëve të MASHT-it, kanë qenë biseda të tjera në krahasaim me sot, jemi marr vesh që të kemi një seancë parlamentare ku deputetët do të ndërronin dhe ndryshonin koeficentët e mësuesve të cilkit klasor nga klasa 1 deri 5, pra me i barazu me kolegët e tjerë. Dhe sot ne kemi menduar që do të angazhohemi që kjo të arrihet mirëpo ndodhi i kundërta”, tha Jasharaj.
“Ministri insistonte, së bashku me një pjesë të drejtorëve, që vendimi i tij për kompenzimin e orëve të jetë në fuqi dhe ditët të kompensohen. Ne e përsëritem qëndrimin tonë dhe vendimin e anëtarëve të SBASHK-ut”, tha ai.
LEXO EDHE: SBAShK-u e lë në gjysmë takimin me MASHT-in
Jasharaj tutje theksoi se në takimin e sotëm, përfaqësuesve të SBASHK-ut, nuk iu është dhënë fjala e kërkuar dhe se iu është shkurtuar minutazha e fjalës. Sipas kryetarit të SBASHK-ut, kjo ka qenë një ndër arsyet e lëshimit të këtij takimi. Ai po ashtu ka përsëritur se orët e humbura nuk do të kompensohen përderisa nuk do të ketë ndryshim të koeficientëve të mësuesve klasor.
“Situata do të mbetet siç është tani, pra nuk do të kompensohet asnjë orë e humbur. Duke e parë që neve përfaqësuesve të SBASHK-ut, vështirë na jepej fjala dhe kërkohej që minutazha jonë të shkurtohej. Dhe në shenjë revolte ne e kemi lëshuar këtë takim dhe konsiderojmë se ministri po bënë gabimin tjetër dhe vendimet e tij do të konsiderohen të paligjshme”, tha Jasharaj për FaktePlus.
Ndryshe Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se orët e humbura gjatë grevës, do të kompensohen.
Bytyqi pas takimit në mes MAShT-it, SBAShK-ut dhe DKA-ve për kompensimin e orëve të humbura, tha se orët do të kompensohen pavarësisht kundërshtimit të SBAShK-ut.
Sipas tij, DKA-të janë të gatshëm të marrin obligimin për gjetjen e mundësisë më të mira për formën e zëvendësimit të orëve.
Ndërkaq për lëshimin e takimit ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut – KMDLNJ.
Sipas këtij këshilli, sindikata e arsimit nuk kishte arsye ta lëshojë takimin sepse u trajtua në mënyrë korrekte nga të gjithë që i përdorën argumentet e tyre./FaktePlus