“Përplasja” për shtatoren e Adem Jasharit
Në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë nuk ka asnjë shenjë, madje as tabelë, që e personifikon këtë shesh me figurën e komandantit legjendar Adem Jashari.
Shtatorja e Adem Jasharit pritet të vendoset në Prishtinës gjatë vitit 2019. Kuvendi i Kosovës ka paraparë në buxhetin e vitit të ardhshëm 100 mijë euro për këtë shtatore. Por, ajo nuk do të vendoset në sheshin që mban emrin e tij, pasi Komuna nuk ka hequr dorë nga statuja që simbolizonte “bashkim – vllanizmin” në kohën e ish-Jugosllavisë.
Zyrtarisht akoma nuk është caktuar një lokacion për vendosjen e shtatores, bile për këtë ka përplasje jozyrtare ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Komunës së Komunës.
FaktePlus ka mësuar se Kuvendi i Kosovës këmbëngul që “Parku i Lirisë” të ndërtohet në hapësirat ku janë të vendosura objektet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe pikërisht aty të vendoset shtatorja e Adem Jasharit.
Sipas burimeve të FaktePlus, Komuna e Prishtinës nuk dëshiron që shtatorja të jetë në këtë pjesë, pasi është e interesuar që, pos një parku të vogël, në këtë hapësirë të bëhet “Çarshia e vjetër”, ku do të vendosen rreth 100 biznese dhe një park i vogël. E në këtë hapësirë është menduar që të ketë pak vend edhe për tregtarët e ‘Tregut të gjelbër’.
Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi ka thënë se Komuna e Prishtinës duhet të tregojë për lokacionin se ku duhet të vendoset kjo shtatore.
“Sa i përket lokacionit, pyetjen duhet ta adresoni në Komunën e Prishtinës”, tha shkurt Krasniqi për FaktePlus, derisa nuk ka dashur të deklarohet se cili lokacion është i preferuar për Kuvendin e Kosovës.
Kurse zyrtarja e lartë për Informim në Komunën e Prishtinës, Miranda Mullafazliu-Bejta, ka thënë se çështja e vendosjes së shtatores së Adem Jasharit është temë në proces dhe për këtë nuk mund të vendosë e vetme Komuna e Pishinës.
“Duhet një bashkëpunim me Qeverinë dhe me komunitetin që të gjendet një lokacion. Pra është një temë në proces”, tha Mullafazliu për FaktePlus.
Prej këtij buxheti për vitin 2019 të Kuvendit të Kosovës është paraparë që të ndahen 100 mijë euro për ndërtimin e shtatores së Adem Jashari.
Përveç ndërtimit të shtatores, Kuvendi do t’i ndajë edhe 200 mijë euro tjera për memorialin për fermat e dhunuara gjatë luftës./M.B/FaktePlus/