Përplasja Haradinaj-Rama dëmton pozitën e Kosovës përballë Serbisë
Përplasja e dy kryeministrave, Ramush Haradinaj i Kosovës dhe Edi Rama i Shqipërisë, po shihet i dëmshëm në procesin e fazës përfundimtare të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas analistëve, në vend se të ishin së pari krerët e Kosovës unik dhe me qëndrime të përbashkëta karshi Serbisë, përplasja dhe mos koordinimi edhe mes liderëve kosovarë dhe atyre shqiptarë, do ta dëmtojë Kosovën në raport me Serbinë në fazën përfundimtare të dialogut.
Analisti Imer Mushkolaj e ka quajtur fatkeqësi mos koordinimin e liderëve kosovarë mes vete për një proces kaq të rëndësishëm për shtetin.
Ai ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se kjo reflekton në pozicionin e Kosovës karshi Serbisë në fazën finale të dialogut.
“Kjo është edhe fatkeqësia që liderët e Kosovës në radhë të parë nuk janë të koordinuar mes vete, së dyti as liderët e Kosovës me të Shqipërisë nuk janë të koordinuar dhe në vend se të gjithë këta të kenë një qëndrim të unifikuar karshi qëndrimit të Serbisë këta merren me njëri tjetrin. Ne e pamë deklaratat e Haradinajt që tha se më shumë i është kërkuar nga Rama e Thaçi se sa nga të tjerët që të heq taksën dhe po ashtu demantimin e Ramës që e quajti Haradinajn gënjeshtar”, tha Mushkolaj.
Reagimin e Ramës dhe Thaçit, Mushkolaj e ka quajtur frustrim për atë çfarë nxori Samiti i Berlinit, duke shuar idenë e korrigjimit apo shkëmbimit të territoreve.
Megjithatë, jo fort të besueshme e quajti edhe deklaratën e Haradinajt, meqë sipas tij u pa se është për përfitim politik.
“Por unë këtu shoh edhe njëfarë frustrimi të Ramës dhe Thaçit për shkak të mesazheve që janë dhënë në Bruksel, edhe për shkak të qasjes që ka pasur sidomos Gjermania sa i përket çështjes së korrigjimit të kufijve. Ne e dimë që Rama është flamurtar i kësaj ideje dhe ka bërë çmos që idenë ta qoj përpara. Natyrisht nuk duhet besuar plotësisht as atyre që i ka thënë Haradinaj sepse edhe ai në deklaratat e tij njëfarë forme përpiqet që të fitojë politikisht, por ne nuk e dimë çka ka ndodhur, nuk kemi qenë brenda por duhet të bazohemi vetëm në deklaratat publike”, theksoi Mushkolaj për FaktePlus.
Megjithatë, e gjithë kjo përplasje për analistin Mushkolaj shkon në dëm të Kosovës dhe pozicionit të saj në procesin e dialogut.
“Ajo që dihet tashmë është se këto deklarata vetëm sa do ta dëmtojnë në njëfarë forme edhe pozicionin e Kosovës karshi fushatës që Serbia po e vazhdon dhe do të ishte mirë që këto të ndalen për shkak se sidomos kur bëhet fjalë për taksën ne pamë qëndrime të ndryshme edhe të presidentit Thaçi i cili tash po del një ndër mbrojtësit e taksës të cilën me muaj të tërë me ngulmë ka kërkuar të hiqet”, ka thënë ai.
Me 1 dhe 2 korrik krerët e shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë do të takohen sërish në Samitin e Parisit në formatin e njëjtë sikurse ai në Berlin, vetëm se në kryeqytetin francez nuk do të jenë presidentët e vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor.
E analisti Mushkolaj ka thënë se është më mirë të mos shkohet fare në Samitin e Parisit, se sa të shkohet me qëndrime të kundërta të liderëve të Kosovës.
“Nëse nuk ka koordinim më mirë mos të shkojnë fare në Samitin e Parisit. Atje nuk do të jenë përfaqësuesit e vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, por do të jenë vetëm përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës. Kështu që është absurde, banale dhe shumë e dëmshme që dy krerët e shtetit të Kosovës të shkojnë në dialog apo në takime për vazhdimin e dialogut me qëndrime të kundërta. Kështu që nëse nuk merren vesh më mirë është të thonë se nuk po shkojmë fare, sepse kjo pastaj po shfrytëzohet nga Serbia si kartë për t’i thënë BE-së se ja ne jemi të gatshëm, të vullnetshëm e tjera, për të arritur marrëveshje me Kosovën, por ata vet nuk po mund të merren vesh me njëri tjetrin”, është shprehur Mushkolaj.
Pas Samitit të Berlinit, Ramush Haradinaj e Edi Rama janë përplasur në distancë me deklarata, meqë kryeministri kosovar akuzoi homologun e tij shqiptar se i ka bërë presion që ta pezullojë taksën me shumë se sa Aleksandër Vuçiqi.
Ndaj kësaj deklarate reagoi Edi Rama, duke mohuar t’i ketë bërë presion homologut të tij, madje e ka quajtur edhe gënjeshtar./FaktePlus