Përplasen Mimoza Kusari-Lila dhe Besnik Tahiri në Kuvendin e Kosovës
Me përplasje të ashpër po vazhdon seanca e sotme plenare e Kuvendit të Kosovës. Dallimet për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare kanë përplasur verbalisht shefen e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me shefin e grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Ishte ky i fundit që e quajti gënjeshtare, Kusari-Lilën, e cila sipas tij nuk dinë të ndërtojë konsensus me partitë opozitare.
“Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, le që pa asnjë nivel profesional dhe kolegial del e gënjen këtu në foltore, por mundohet me përmbushë një agjendë të saj që në fakt nuk dinë me bërë. S’dinë me ndërtuar konsensus Mimoza Kusari….tash lyp konsensus prej neve dhe sillesh në formën më të ulët të mundshme si shefe e 61 deputetëve. Koalicionin në qysh me Listën Serbe e bërë”, tha ai.
Atij iu kundërpërgjigj shefja e deputetëve të LVV-së, duke i thënë se po fol kot.
“Për gjuhën që e përdori zotëri Tahiri, s’po dua të sjell një standard të ri të keq. Nëse ka pas të pavërteta është dashur të debatohen dhe jo me fol kot”, tha ajo.