Përleshjet fizike në kuvendet e LDK-së do të lënë pasoja në këtë parti
Lidhja Demokratike e Kosovës, është duke shkuar drejt fundit në procesin e brendshëm zgjedhor, për t’i zgjedhur organet e reja drejtuese për mandatin katër vjeçar. Por, jo të gjitha kuvendet zgjedhore nëpër degë kaluan ashtu siç u parashikua, pa eksese. Në disa kuvende zgjedhore delegatët përdoren grushtet për t’i qëruar hesapet mes veti, për shkak të mospajtimeve lidhur me procesin zgjedhor.
Këto përleshje fizike nëpër kuvendet zgjedhore komunale duken të jenë sinjale se edhe në Kuvendin e Përgjithshëm mund të përsëritet 2006-ta, që njihet si Kuvendi i Karrigeve, kur LDK-ja ishte ndarë në dysh.
Se do të lënë pasoja përleshjet fizike nëpër kuvende zgjedhore të degëve, e thonë edhe analistët.
Analisti politik Ramush Tahiri, thotë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se pasojat janë meqë secili kandidat tërheq votat e tij.
“Po, çdo përçarje, jo vetëm përplasjet, por çdo përlarje do të ketë pasoja, sepse secili kandidat tërheq numër të caktuar të deputetëve, familjarëve e tjera. Në këtë bazë janë të paimagjinueshme që do të ketë përplasje dhe përçarje dhe do të zvogëlohet në zgjedhje numri i vendeve që do t’i marrin”, ka thënë Tahiri, shkruan FaktePlus.
Në së paku dy kuvende zgjedhore ka pasur përleshje fizike në kuvendet zgjedhore në degë. Së pari përleshje fizike pati në kuvendin zgjedhor të degës së Mitrovicës, në të cilin kishte qëlluar edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti.
Pak ditë më vonë një tjetër përleshje kishte ndodhur në kuvendin zgjedhor të degës së Ferizajt.
Rreth këtyre përleshjeve fizike, analisti tjetër Blerim Burjani, ka theksuar për FaktePlus se problemet e tilla nuk po mund t’i durojnë krahu i Isa Mustafës dhe ai i Fatmir Sejdiut.
“Në LDK ka tensione te vazhdueshme dhe se zgjedhjet në këtë subjekt nuk janë përjetuar mire nga krahu i Isa Mustafës dhe Fatmir Sejdiut dhe një pjesë tjetër të anëtarëve të LDK te cilët nuk po arrijnë interesin e vet te artikulojnë me interes personal. Pra janë tre probleme të rëndësishme që kanë katandise këtë subjekt dhe kur t’i shtohet edhe zgjedhja e liderit te ri te kësaj partie atëherë pasqyrohet si gjendje të rënd në të cilën gjendet ky subjekt politik”, theksoi Burjani.
Ai më tutje ka shtuar se përleshjet fizike po ndodhin në LDK, pasi kjo parti nuk po mund të reformohet me një gjeneratë të re politike.
“Pra, LDK-ja nuk po mund të jetë që të reformohet me një gjeneratë të re politike dhe po ka vështirësi edhe me gjeneratën e mesme të arrij të marr pushtetin brenda këtij subjekti përderisa për Sabri Hamitin e disa tjerë ka përfunduar angazhimi politik. Gjenerata e vjetër dhe ajo e mesme e këtij subjekti ende janë të fuqishëm në përkrahje”, u shpreh ai.
Zgjedhjet e brendshme në LDK pritet të përfundojnë para përfundimit të kësaj vere, ani pse ende nuk ka asnjë datë zyrtare se kur do të organizohet Kuvendi Zgjedhor në të cilin do të zgjedhet kryetari, anëtarët e kryesisë dhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së./FaktePlus