Përleshje në plazhin italian, nigeriani kafshon dhe gëlltit gishtin e shqiptarit
Një natë në plazhin e një prej lokaliteteve turistike më të populluara në Itali përfundoi në një sherr të dhunshëm, i kulmuar në një episod kanibalizmi.
Skenari, i denjë për një film horror, u përjetua nga dy shtetas shqiptarë 26-vjeçarë të cilët u përballën me dy moshatarë me origjinë nga Nigeria, në një nga plazhet e Riminit në Itali.
Njëri prej nigerianëve i ka shpëtuar, për momentin, forcave të rendit italiane, ndërkohë që një prej shqiptarëve gjendet i arrestuar por edhe pa një pjesë të gishtit.
Arsyet që shkaktuan dhunën e verbër mes katër personave nuk janë ende sqaruar, por dëshmia e shqiptarit ende të traumatizuar, sipas avokates së tij Paola Zavatta, tregon se gjithçka filloi sepse disa vajza që shoqëronin shqiptarët në plazh, rreth orës 3 të mëngjesit, nuk treguan interes ndaj ngacmimeve të afrikaneve që ndodheshin aty.
Provokimet degjeneruan në sulme ku u përdorën gjerësisht edhe çadrat e plazhit. Ndërkohë, rojet e plazhit që shpejtuan të ndanin palët tregojnë të tmerruar skenën drithëruese e një prej afrikaneve me fytyrën plot gjak, ndërkohë që buzëqeshte teksa mbllaçiste falangën e gishtit të shqiptarit.