Përkeqësohet kriza e urisë në Siri
Siria do të përballet me një krizë urie të pa paraparë deri tani, me më shumë se 9,3 milionë njerëz që janë në mungesë të ushqimit adekuat, gjersa shpërthimi i koronavirusit mund të përkeqësohet në këtë shtet, kanë thënë agjencitë e OKB-së të premten, shkruan Reuters.
Programi Botëror i Ushqimit (WFP) tha gjatë një takimi në Gjenevë se në gjashtë muajt e fundit, numri i njerëzve që nuk kanë gjëra elementare për të ngrënë është rritur për 1,4 milionë.
Edhe çmimet e ushqimeve janë shtrenjtuar për 200% brenda në më pak se një vit për shkak të rënies së ekonomisë në Libanin fqinj, dhe për shkak izolimit të Sirisë si rezultat i pandemisë së COVID-19, ka thënë zëdhënësja e WFP-së Elisabeth Byrs.
Pas nëntë vjetëve të konfliktit të armatosur, më shumë se 90% e popullatës së Sirisë jeton me më pak se 2 dollarë në ditë, andaj skamja dhe nevojat humanitare janë në rritje e sipër, tha Akjemal Magtymova, përfaqësuesja e OBSH-së për Sirinë.
Më pakë se gjysma e spitaleve në Siri janë funksionale, gjersa gjysma e fuqisë së punëtorëve mjekësorë kanë ikur që nga nisja e konfliktit, ka thënë ajo, duke shtuar se ata që kanë mbetur po përballen me “rrezik të vazhdueshëm të kidnapimit dhe vrasjeve”.
Autoritetet kanë raportuar 248 infektime me koronavirus, përfshirë 9 vdekje në rajonet që kontrollohen nga qeveria, ndërsa pesë raste dhe një vdekje janë regjistruar në verilindje të Sirisë e cila administrohet nga Kurdët, tregojnë shifrat e OBSH-së.
“Numrat zyrtarë paraqesin një numër tepër të vogël të shifrave reale në Siri” tha Richard Brennan, drejtori rajonal i emergjencave në OBSH.