Përjashtohen futbollistët e kombëtares që nuk iu përmbajtën rregullave
Këshilli për çështje emergjente i Federatës së Futbollit të Kosovës sot ka mbajtur mbledhje dhe ka analizuar dhe shqyrtuar pjesëmarrjen e Kombëtares së futsallit në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin evropian 2022 në Gjeorgji.
Është konstatuar se kjo Kombëtare nuk pati rezultatet të mira, duke mos arritur të përmbush objektivat e saj për kualifikim për rrethin elitë, thuhet në njoftimin e Federatës.
Po ashtu, këshilli ka analizuar me kujdes edhe paraqitjet individuale dhe sjelljet e futbollistëve në këto ndeshje, duke konstatuar se sjellja e disa futbollistëve nuk ishte në nivelin e duhur përfaqësues, ngase bartja dhe mbrojtja e fanellës së Kombëtares së Kosovës janë detyra dhe obligime të shenjta për secilin futbollist, që kërkon sjellje dinjitoze jo vetëm në lojë por edhe jashtë lojës.
“Kështu që futbollistët, Oso Gjinovci, Bajram Ramadani dhe Dardan Topilla, gjatë udhëtimit për Gjeorgji kanë pasur sjellje që nuk përkojnë me Rregullat e etikës së një futbollisti përfaqësues, ndaj Këshilli për çështje emergjente ka marrë vendim për përjashtimin e tyre nga ekipi kombëtar”, thuhet tutje në njoftimin e FFK-së.
“Këshilli për çështje emergjente beson se kjo masë do të ndikojë tek këta futbollistë dhe tek të tjerët që të kenë kujdes, kur veshin fanellën e Kombëtares së Kosovës dhe mbrojnë ngjyrat e shtetit të Kosovës”, përfundon njoftimi.