Përgatitjet për zgjedhjet e 6 tetorit, roli i OSBE-së në komunat veriore
Me të dhënë dorëheqje, Ramush Haradinaj, nga posti i kryeministrit, të gjitha partitë politike në vend u aktivizuan për zgjedhjet e parakohshme.
Edhe pse jo zyrtarisht, takime, tubime me elektoratin nisi secila parti në vende të ndryshme të Kosovës. Por, jo edhe në Mitrovicën Veriore, e cila pjesë udhëhiqet nga partitë serbe.
E tashmë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të 6 tetorit, duke përfshirë këtu edhe komunat Veriore të Mitrovicës, ku përveç OSBE-së procesin e zgjedhor atje do ta mbikëqyrin edhe aktivistët nga Demokracia në Veprim.
Sikurse proceset e mëhershme zgjedhore, Misioni i OSBE-së në Kosovë do të angazhojë personel për këshilla dhe ndihmë teknike për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se OSBE edhe kësaj radhe do të ketë vetëm rol këshillues.
“Roli i misionit të OSBE-së do të jetë i ngjashëm me të zgjedhjeve të kaluara. OSBE-ja nuk ka rol ekzekutiv por vetëm rol këshillues, sepse organizatori i zgjedhjeve është KQZ-ja. Pra, OSBE-ja do të këshillojë Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, ndërsa në ditën e zgjedhjeve do të jenë në qendrat e votimit për të këshilluar anëtarët e këshillave të vendvotimit në rast nevoje”, tregoi Elezi.
Kurse Blera Aliu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka treguar se DnV do t’i monitoroj fushatën zgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë ketu edhe komunat veriore.
“DnV-ja do të monitoroj fushatën zgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve në tërë territorin e Kosovës. DnV do të ketë të angazhuar vëzhgues në secilin vendvotim, ekipe mobile. Po ashtu edhe vëzhgues afatgjate që do të monitorojmë 10 ditët e fushatës zgjedhore”, ka treguar Aliu për FaktePlus.
Kujtojmë që javën e tretë të muajit maj të këtij viti janë mbajtur zgjedhjet për pushtetin lokal në katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, komuna këto të banuara me shumicë serbe. Në këto zgjedhje fituese doli subjekti politik Lista Serbe që ka mbështetjen e Beogradit.
Rreth 24 mijë e 600 votues nga rreth 58 mijë të regjistruar morën pjesë në këto zgjedhje të jashtëzakonshme. Ishin tri subjekte politike që garuan me kandidatët e tyre për kryetar komunash, Lista Serbe që e ka mbështetjen e Beogradit, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
44 qendra të votimit me gjithsej 87 vendvotime ishin hapur në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe. 464 vëzhgues ishin të akredituar, vëzhgues nga Kosova dhe të huaj. Vëzhgues kishte edhe nga ambasadat në Kosovë dhe OSBE-ja./FaktePlus