Përfundon takimi i Haradinajt me Limajn, dalin detaje nga takimi
Kryeministri në detyrë dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme angazhimet për zgjerimin e koalicionit parazgjedhor dhe tashmë e ka përfunduar takimin me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajn.
Se kanë përfunduar takimin për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi.
Pa dashur të jap më shumë detaje, Gashi ka thënë se Haradinaj dhe Limaj kanë biseduar për situatën aktuale politikë në vend, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e një bashkëpunimi parazgjedhor.
“Po kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ka zhvilluar sot një takim me z.Limaj me të cilin ka biseduar për të gjitha zhvillimet e fundit politike në vend”, ka thënë shkurt për FaktePlus, Gashi.
E më vonë Haradinaj ka deklruar edhe vetë se kanë biseduar për mundësinë e bashkëpunimit, sikurse me PSD-në, por që ende nuk ka ndonjë marrëveshje.
“Ende nuk ka diçka zyrtare që mund të çojë në ndonjë bashkëpunim parazgjedhor”, ka thënë Haradinaj.
Kujtojmë se ishte vetë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj që menjëherë pas lidhjes së koalicionit me PSD-në, tha se sot (e martë) do të takohet edhe me kryetarin e NISMA-s, Fatmir Limajn për të diskutuar për mundësinë e një bashkëpunimi të ri.
LEXO EDHE: Koalicioni AAK-Nisma, Kadaj-Bujupi optimiste për arritje të marrëveshjes
E zyrtarët e AAK-së kanë thënë për FaktePlus se një koalicion me Nismën e PSD-në do të jepte garanci për një qeverisje stabile, e cila do të mundësonte që Kosova ta mbrojë përfundimisht sovranitetin dhe integritetin e saj territorial./FaktePlus