Përfundon procesi zgjedhor, a do të fillojë nesër mësimi?
Tashmë procesi zgjedhor për Kuvendin e Kosovës ka përfunduar dhe ka nisur numërimi i votave. Pas pak orësh duhet të fillojë edhe lirimi dhe pastrimi i hapësirave shkollore, pasi nesër nxënësit kanë mësim.
Sikurse më parë edhe në zgjedhjet e këtij viti shumica e vendvotimeve kanë qenë nëpër shkollat fillore e të mesme të Kosovës.
E si shumica e shkollave hapësirat për zgjedhje më 6 tetor i ka lëshuar edhe shkolla fillore “Emin Duraku” në Prishtinë.
Drejtori i kësaj shkolle, Agron Mexhuani ka thënë për FaktePlus se pret që gjithçka të kthehet në gjendjen e mëparshme dhe procesi mësimor të fillojë mëngjesin e nesërm pa ndonjë telashe.
Ai tha se në këtë shkollë do të angazhohet i tërë personeli teknik e që do ta mundësojnë rregullimin e klasave për mësim.
Drejtori Mexhuani, i cili po ashtu gjatë ditës së sotme ka qenë edhe menaxher i kësaj qendre të votimit, tha se procesi zgjedhor ka shkuar mirë dhe nuk kanë pasur asnjë telashe.
Ai thotë se qytetarët kanë treguar pjekuri dhe civilizim gjatë ditës së sotme.
Kujtojmë se në këto zgjedhje për Kuvendin e Kosovës, garojnë 20 parti, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur.
Ndërkaq numri i qytetarëve në gjithë Kosovën, cilët kanë të drejtë vote në zgjedhjet e sivjetme ka arritur gati në 2 milionë, saktësisht janë 1,937,868 qytetarë me të drejtë vote.
Të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar një numër i madh i qytetarëve. Në fakt kanë votuar rreth 850 mijë qytetarë./FaktePlus