Përfundojnë debatet publike për autostradën e Dukagjinit
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj të mërkurën mori pjesë në dëgjimin publik me prizrenasit për autostradën e Dukagjinit, që shënon kështu edhe fundin serisë së debateve publike për këtë projekt.
Ministri Lekaj shtjelloi rëndësinë e këtij projekti madhor dhe u premtoi prizrenasve se të gjitha sugjerimet dhe propozimet e tyre do të merren parasysh dhe shqyrtohen me kujdes.
I pari i Infrastrukturës dhe Transportit, po ashtu tha se Prizreni si qytet historik do ta ketë gjithherë mbështetjen e institucioneve qendrore dhe ky projekt është dëshmia më e mirë për këtë.
Pjesëmarrësit e këtij debati u informuan në detaje për projektin nga kompania projektuese, kurse me sugjerimet e tyre, dhanë kontributin në kompletim të projektit që ai të jetë sa më në shërbim të qytetit të tyre dhe zhvillimit të Kosovës.
Nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit thuhet se autostrada e Dukagjinit është projekti më i madh që po bëhet për lidhjen e Kosovës me korridoret pan evropiane.
Kjo autostradë do të jetë e gjatë rreth 91 kilometra dhe fillon nga Istogu, kalon nëpër Pejë, Deçan, Junik, Gjakovë, Rahovec dhe përfundon në Prizren, ku lidhet me autostradën “Ibrahim Rugova”.
Autostrada e Dukagjinit do të fillojë këtë vit dhe do të përfundojë për katër vite.