Përballje e ashpër Kurti-Vuçiq në Këshillin e Sigurimit, aleatët kërkojnë shtyrje të vendimit për dinarin
Mbrëmë në New York për herë të parë në kuadër të Këshillit të Sigurimi pati një përballje Kurti-Vuçiq për punën e dinarit dhe për çështjen e strukturave paralele.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkëmbyen akuza dhe kundërakuza në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), të thirrur nga Serbia lidhur me ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë.
Kosova u kritikua për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe për mospërfillje të ndikimit të saj te minoriteti serb në Kosovë. Megjithatë, ajo u vlerësua për periudhën e tranzicionit që ka premtuar për zbatimin e kësaj rregulloreje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Rregullorja e Bankës qendrore nuk e kufizon mbështetjen financiare të Serbisë për serbët që jetojnë në Kosovë.
Ai tha se Beogradi ka ngritur alarm jo për shkak të këmbimit të dinarit në euro, por për shkak se po ndalohen thasë me dinarë në kufij, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Që të jem absolutisht i qartë, rregullorja nuk e ndalon e as nuk e pengon qeverinë e Serbisë për ofrimin e ndihmës financiare për serbët e Kosovës. Çfarëdo sugjerimi i kundërt nuk është asgjë tjetër përveç propagandë e rrejshme dhe nxitje e tensioneve etnike. Rregullorja përpiqet të tregojë transparencë dhe ligjshmëri të importit të parave në Kosovë në përputhje me Kushtetutën dhe politikën monetare të BE/së. Të njëjtat rregulla vlejnë për të gjitha importet e “CASH” nga cilido vend dhe cilado valutë. Kjo nuk ndalon transferin e dinarëve nga Serbia, dollarëve nga Amerika, funtave nga Anglia, apo lekun nga Shqipëria. BKQ është e përkushtuar që të sigurojë që serbët e Kosovës të jenë në gjendje të pranojnë mbështetjen financiare nga Serbia pa kurrfarë ndërprerjeje apo pengese.”, tha kryeministri Kurti.
“Ata ankohen jo për shkak të brengës për qytetarët serbë të Kosovës, por sepse ato tubacione të parave në veri të Kosovës po ndalen.”, shtoi Kurti.
Kryeministri i Kosovës përsëriti se euroja do të mbetet e vetmja valutë për pagesë në Kosovë.
Kurti u zotua se ditëve në vazhdim do të ketë më shumë informim për çështjen e dinarit. Madje, Kurti tha se do t’u flasë serbëve lokalë në gjuhën e tyre, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Sipas tij serbët nuk e urrejnë euron, pasi që grantet dhe subvencionet nga qeveria e Kosovës i kanë pranuar në euro.
“Dinari nuk është ndaluar në Kosovë, qytetarët serbë mund ta mbajnë dinarin, por që euroja është valuta e vetme si mjet pagese. Vetëm euroja është mjet pagese. Kemi dhënë aq shumë subvencione, ndihmë sociale, grante për arsim e shëndetësi për komunat me shumicë serbe , të gjithë i pranojmë dhe pa kurrfarë problemi. Nuk kemi asnjë rast që një qytetar serb i Kosovës ka thënë se nuk i pranojmë këto sepse janë në euro. Në vendin fqinj, në Mal të Zi, diku një çerek i popullsisë deklarohen si serbë, por që e kanë euron si valutë, serbët e rëndomtë nuk e urrejnë euron, është valutë pagese, mund të mbash para në çfarëdo lloj valute që dëshiron. Do të bëj më shumë komunikim, më shumë informim për serbët në ditët vijuese përgjatë gjithë muajit. Do të flas në serbisht ashtu që të më kuptojnë ndoshta më mirë e më qartë. Sepse ne që kemi qenë nën okupimin e Serbisë e dimë gjuhën serbe, por ata nuk e kanë mësuar gjuhën tonë. Do të flas në serbisht, nuk kam asgjë kundër serbëve, kam miq serbë, kam ministër në Qeveri, partia ime me votë të fshehtë e ka votuar zëvendës avokatin e popullit serb. Një prej katër anëtarëve të bordit në Trepçë që është ndërmarrja më e madhe minerale, Dragisha Kërstoviq nga Leposaviqi, është serbe.”, u shpreh ai.
“Nuk besoj që dallimi etnik sjell konflikt. Larmia e shumësia është qenia vet. Për interesa politike, dallimet etnike mund të përdoren e këtë po e luftojmë. Besoj te njerëzit, njerëzit janë të mirë. Kriminelët janë individë, s’ka komunitet kriminal. Mund të ketë struktura kriminale, por s’mund të ketë popull që është kriminel e nuk e barazoj shtetin me popullin”.
Ai ka thënë se serbët e Kosovës do ta pranojnë përdorimin e euros, siç e pranuar konvertimin e tabelave në RKS, pasi që sipas tij në tabela shkruan Republikan e Kosovës, kurse në euro nuk ka ndonjë shenjë të Kosovës.
Kurti i bëri sërish Vuçiqit thirrje që të nënshkruaj marrëveshjen e arritur në Bruksel e Ohër.
“Jam kritikuar për veprime të njëanshme, por unë jam kryeministër për shkak se Kosova është Republikë, po të mos ishte vendi im Republikë, unë nuk mund të bëhesha kryeministër, pra i mbroj interesat e një republike demokratike. Për veprime të dyanshme, në të kundërtën e njëanshme, të nënshkruajmë marrëveshjen, të cilën e kemi dakorduar si tekst. Kemi marrëveshje, por që të mos kemi shkelje të marrëveshjes, për ta respektuar dhe zbatuar atë plotësisht unë po them që të marrim një veprim bilateral që do të ishte nënshkrimi i marrëveshjes, ashtu që të përmbahemi dhe t’i përkushtohemi me nënshkrime tekstit dhe frymës së marrëveshjes”, tha Kurti.
Ai një nga një tregoi për respektimin e të drejtave të qytetarëve serbë të Kosovës. Kurti tha se ideja se Kosova po kryen spastrim është gënjeshtër. Ai tha se qeveria serbe përhap frikë dhe pretendime të rrejshme.
Kryeministri foli edhe për projektet milionëshe për serbët.
Kurti i përmendi edhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Serbi dhe shlyerjen e adresave të tyre, që sipas tij po e bëjnë shpopullimin e Luginës së Preshevës.
“Ideja që Kosova po kryen spastrim etnik apo persekutim ndaj komunitet serb është thjesht gënjeshtër që është demantuar nga shumë organizata ndërkombëtare. Të fokusohemi te trajtimi nga Serbia i shqiptarëve etnikë atje sot. Fushata e spastrimit etnik që bëhet në mënyrë administrative… Qeveria serbe sistematikisht i ka hequr mbi 4 mijë e 200 shqiptarë etnikë nga regjistri civil në Medvegjë dhe mbi 2 mijë në Bujanoc. Kjo shlyerje e njerëzve ka pasoja të prekshme, viktimat nuk kanë qasje më në letërnjoftime, pasaporta, shërbime mjekësore, ndihmë sociale, transaksione pronësore, pensione dhe të drejta votimi, pra i bën ata të jenë pa shtet. Kjo fushatë është metodë e shpopullimit të shqiptarëve atje.”, shtoi ai.
Kryeministri i Kosovës, Kurti ia ka thënë në sy presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se është vetë ai që e ka orkestruar sulmin terrorist në fshatin Banjksë më 24 shtator të vitit të kaluar.
Kurti në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së i tha Vuçiqit se më 24 shtator rreth 80 paramilitarë të mbështetur nga Serbia filluan një sulm të paprovokuar ndaj patrullës policore në Kosovë duke rezultuar me vdekjen e policit Afrim Bunjaku dhe lëndimin e dy të tjerëve.
“Një rast i qartë ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar. Rreth 80 paramilitarë të mbështetur nga Serbia filluan një sulm të paprovokuar ndaj patrullës policore në Kosovë duke rezultuar me vdekjen e policit Afrim Bunjaku dhe lëndimin e dy të tjerëve. Përkundër përpjekjes terroriste duke përdorur edhe pelegrinët e pafajshëm si mburoja, Policia jonë i ka shmangur këto viktima.”, tha Kurti.
Ai para botës ia përmendi Vuçiqit faktin se ,ë 27 shtator Serbia shpalli ditë zie për terroristët e vrarë nga Policia e Kosovës dhe nga operacioni anti-terrorist.
“E vërejtët që sot, z. Vuçiq po rikujtonte disa serbë që janë lënduar apo plagosur në incidente të ndryshme, por nuk i përmendi tre serbët e vrarë, pse nuk i përmendi këta? Sepse e di që ata kanë qenë terroristë të financuar, mbështetur dhe orkestruar nga ai vetë dhe mu për këtë tre serbët e vrarë nuk u përmendën fare.”, u shpreh kryeministri Kurti.
Ai tha se Serbia refuzon dy obligime kyçe, që të mos pengojë anëtarësimin ndërkombëtar të Kosovës dhe të mos respektojë integritetin territorial.
“Nënshkrimi i marrëveshjes nuk është vetëm formalitet është edhe garanci për implementimin e saj të plotë dhe të pakusht, edhe për paqen dhe sigurinë në Ballkan. Përkundër ofertave të mia të përsëritura, z.Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë, e ftoj të nënshkruajë këtu sot, menjëherë, duke theksuar rolin krucial të kartës së OKB-së në këtë marrëdhënie. Ky akt simbolik do të demonstronte përkushtimin e tij për marrëdhënie paqësore me Kosovën.”, u shpreh Kurti.
Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur retorikën e tij propagandistike ndaj Kosovës.
Ai vendimin për dinarin e quajti “sulm ndaj serbëve”, dhe synoi ta lidhë me “nevojën për themelimin e Asociacionit”
Ai vazhdoi propagandën e tij se vendimi i BQK-së shënjestron drejtpërdrejt serbët për t’ua “bërë të pamundshme jetesën” e tyre në Kosovë.
“Liderët shqiptarë përdorin sundimin e ligjit vetëm sa për të dëmtuar serbët dhe kishën ortodokse serbe. Ngjarja, lëvizja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës ku lëvizja është për të ndaluar dinarin. Më pas ka vazhduar një set sulmesh duke bërë që mbijetesa e tyre në provincën jugore varet në masë të madhe nga mjetet që vijnë nga buxheti i Serbisë. Pra, është sulm ndaj popullatës serbe”.
Vuçiq tha se një numër i madh i njerëzve ndikohen drejtpërdrejt ose tërthorazi varen nga dinarët dhe tha se vendimi “ka për të penguar shumë njerëzve që të kenë kushte bazike për jetesë”.
“Me vendimin për të ndaluar transaksionet për dinarin, regjimi në Prishtinë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndalon çdo operacion në të gjitha institucionet shëndetësore, arsimore, sociale dhe kulturore, që u mundësojnë serbëve që të kenë gjërat bazë”, tha Vuçiq.
Ai e lidhi këtë edhe me “nevojën” për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Kjo paraqet bazën e themelimit për Asociacionin të komunave serbe, kompetencat e strukturat e të cilit janë shumë qartë të sqaruara të nënshkruara në vitin 2015. Serbia ka të drejtë të financojë arsimin dhe kujdesin shëndetësor dhe në këtë kontekst kornizën ligjore të serbëve në Kosovë. Pra, ky përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj serbëve dhe themelimit të Asociacionit”.
Vuçiq tha se euroja është valuta që po përdorët jashtëligjshëm nga Kosova.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë kritikuar Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës është marrë pa konsultim me serbët lokalë.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Linda Thomas-Greenfield tha se Shtetet e Bashkuara mbesin të përshkuara për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor duke përfshirë edhe mbështetjen për Forcën e Kosovës nga NATO-ja në përputhje me mandatin e OKB-së, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Inkurajojmë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja që SHBA-ja e mbështet fuqimisht dhe vazhdimisht. Që të jemi të qartë, është dialogu i lehtësuar nga BE-ja e jo i Këshillit të Sigurimit që duhet të jenë kanale për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë edhe zgjidhjet që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kështu SHBA-ja ka shprehur brengën sa i përket planit të Kosovës për zbatimin e Rregullores së ndryshuar të BQK-së për sa i përket transaksioneve në para të gatshme. Vendimi është marrë pa përgatitje adekuate apo konsultim me popullatën lokale. Edhe një herë bëjmë thirrje për zbatim të këtij plani, por që të shtyhet deri sa të ketë procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane.”, tha ajo.
Thomas-Greenfield tha se këto veprime nuk janë konsistente me zotimin e Kosovës që të punojë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të rregulluar çështje që kanë të bëjnë me mirëqenien e komunitetit serb në Kosovë.
“Si dhe dëmtojnë rrugëtimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe një herë Këshilli i Sigurimit nuk është vendi ku duhet të zgjidhen këto çështje.”, u shpreh ajo.
Ambasadorja Thomas-Greenfield po ashtu ka qenë e ashpër edhe me Serbinë në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
Ajo ka ritheksuar se SHBA e dënon sulmin në Banjskë.
Ambasadorja amerikane ia ka tërhequr vërejtjen Serbisë për mos nxjerrjen para drejtësisë të terroristëve.
“SHBA dënon edhe njëherë të sulmeve paramilitare serbë në Banjskë të Kosovës ku u vra një polic. Katër muaj pas sulmit Serbia ende nuk ka marrë në llogari ata që e kanë bërë sulmin. Lideri i këtij organizimi kriminal endet i lirë në Serbi. Serbia duhet të flasë me KFOR-in që një sulm i tillë të mos ndodh më”, tha ajo.
Thomas-Greenfield u bëri thirrje të dy shteteve që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga BE.
“Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara dhe përshkallëzuese dhe u bëjmë thirrje të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, që SHBA-ja vazhdon ta mbështesë fuqishëm”.
Edhe përfaqësuesi i Francës në OKB, Nicolas de Rivière ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë raportet mes tyre nëse synojnë integrimin në BE.
“Vendet duhet të përmbahen nga veprimet që nxitin tensione. Për këtë Franca ka shprehur shqetësimin për vendimin e BQK-së dhe mbylljen e disa komunave serbe në Kosovë. Kjo do të ndikojë në jetën e përditshme të serbëve sidomos në qasjen në shërbime sociale. Franca kërkon pezullimin e vendimit në mënyrë që të ketë një periudhë tranzicioni”.
Ambasadori i Francës në OKB tha se Kurti ka shprehur premtimin se duhet të ketë një periudhë tranzicioni dhe sipas tij kjo është pozitive.
Ai tha se statusi i komunave serbe duhet të zgjidhet përmes Asociacionit.
“Dënojmë sulmin në Banjskë dhe Franca kërkon nga Serbia që fajtorët të vihen para përgjegjësisë”.
Nicolas de Rivière ka thënë se marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër është e arritur e madhe.
“Ka progres në dialog sidomos për njohjen e tabelave dhe fushën e energjisë. Sulmet ndaj KFOR-it janë të papranueshme. Ne u bëjmë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të mbajnë premtimet dhe ta zbatojnë marrëveshjet e arritura”, ka deklaruar ambasadori francez.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në KS të OKB-së, ka theksuar domosdoshmërinë e një angazhimi më intensiv dhe produktiv në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.
Duke u shprehur rreth situatës aktuale, ai tha se është jetike që të dyja palët, Kosova dhe Serbia, të përmbahen nga veprimet që përshkallëzojnë tensionet dhe të respektojnë zotimet e tyre të mëparshme.
Në aspektin e sovranitetit, ai theksoi se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësinë të ushtrojë autoritetin e saj në përputhje me parimet e demokracisë shumetnike, të cilat janë vendosur në qendër të Kushtetutës së saj.
Po ashtu kërkoi të bëhet plan që serbët t’i marrin ndihmat deri të gjendet zgjidhja.
“Për çështjet më të reja, përfshi atë të rregullimit të valutave nga Banka Qendrore e Kosovës, ka pasur një mungesë të dukshme në konsiderimin e ndikimit të tyre ndaj komunitetit serb. Prandaj, bëhet e nevojshme që autoritetet kosovare të zhvillojnë një plan të qëllimshëm që do të garantojë vazhdimin e marrjes së të ardhurave për serbët e Kosovës dhe funksionalitetin e shërbimeve esenciale, deri në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë.”
Për më tepër, përfaqësuesi britanik ka ripërsëritur kërkesën për llogaridhënie nga Serbia rreth ngjarjeve të fundit në Banjskë, ku u kërkua që ata përgjegjës për veprime të tilla të dalin para drejtësisë.