Për tre muaj 7628 pacientë kanë bërë ekzaminime radiologjike
Për tre muajt e fundit në Klinikën e Radiologjisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) janë bërë 7 mijë e 628 ekzaminime radiologjike. Ndërsa në një ditë janë qindra pacientë që u nënshtrohen këtyre incizimeve. E kjo klinikë ka arritur që listën e pritjes për rezonancë magnetike nga rreth një vit ta sjellë në një muaj. Kurse për disa incizime të Tomografisë së Kompjuterizuar (TK) dhe ultratingull, pacientët duhet të presin më pak se një muaj.
Edhe pse kërkesat vazhdojnë të jenë të mëdha për marrjen e shërbimeve që ndërlidhen me incizime të sistemit nervor, palcës kurrizore, hemorragjive në tru, qytetarët tani nuk presim me vite për të kryer këto ekzaminime.
Kështu ka deklaruar drejtori i Klinikës së Radiologjisë në QKUK, Bujar Gjikolli, i cili pohoi se falë angazhimit të madh të gjithë stafit kanë bërë të pamundurën që të zvogëlohet lista e pritjes.
“Realisht ne kemi arritur me angazhimin e madh të personelit dhe me ofrimin e shërbimeve shtesë që listën e pritjes për rezonancë magnetike nga rreth një vit ta sjellim fillimisht në rreth një muaj. Por për shkak që kemi kërkesa të mëdha jemi aty rreth dy muaj pritje që është një arritur e madhe krahasuar me vite më parë. Derisa për TK pritet më pak se një muaj, po ashtu edhe për ultratingull. Për radiografi nuk pritet shumë, në fakt kryhet brenda ditës”, tregon Gjikolli për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Kërkesat për të bërë një rrezatim janë shumë të mëdha dhe shërbime në Klinikën e Radiologjisë po kërkojnë qytetarët nga gjitha komunat e Kosovës.
E karshi shumë kërkesave që janë të arsyeshme, në disa raste po shfaqen raste kur qytetarët në një formë bëjnë vetë-diagnoza “me hjek merakun”.
Në fakt ankesat që po bëjnë pacientët në kontroll me doktorët, po arrijnë të sigurojnë edhe udhëzimet e mjekëve për të kryer incizime.
E kjo gjë siç thotë doktor Gjikolli nuk është e duhura, për shkak që meraku nuk largohet duke iu nënshtruar rrezatimeve.
“Kërkesat janë shumë të mëdha, shumë shpesh janë të arsyeshme, por ndonjëherë tejkalohet arsyeja dhe mendoj që jemi i vetmi vend në botë që ka diagnozë me “hjek merakun”. Të hiqet meraku me rrezatim mendoj që nuk është gjëja më e mirë, por ndonjëherë vijnë kërkesa si nga ana e kolegëve, veçmas vijnë pacientët që thonë unë po dua me hjek merakun, dua me incizu, du me bo TK-në e kokës se s’po ndihem mirë. Gjithsesi ata i sigurojnë udhëzimet, fatkeqësisht. Ai ankohet te doktori dhe doktori e shënon kërkesën”, shpjegon Gjikolli.
Klinika e Radiologjisë në QKUK, vazhdon që gjithë këtë numër të pacientëve që kanë nevojë për ekzaminime radiologjike ta trajtojë me vetëm një rezonancë magnetike që është e vendosur në Institutin e Onkologjisë.
Por, drejtori Bujar Gjikolli tregon se së shpejti këtij instituti t’i shtohet edhe një aparat i rezonancës magnetike, me të cilin do të rriten edhe më shumë shërbimet diagnostike.
“Momentalisht shërbimet publike shëndetësore kanë vetëm një rezonancë magnetike që është e vendosur në Institutin e Onkologjisë, por tjetra është në fazën përfundimtare dhe besoj që në korrik vjen aparati i dytë i rezonancës magnetike me çka do të na ndihmojë në ofrimin më të madh të shërbimeve në këtë fushë”.
Si do qoftë, Gjikolli thotë se në Klinikën e Radiologjisë vazhdon të jetë sfidë ngritja e nivelit profesional në mënyrë të përmbushen kërkesat e pacientëve, por për të arritur këtë duhet që të ketë pajisje teknologjike të kohës.
“Sfidat janë të shumta dhe të mëdha për faktin se radiologjia është njëra prej segmenteve më dinamike të shërbimeve shëndetësore që ofrohen për faktin se teknologjia imponon zhvillimin e saj dhe ne nuk mund t’i përcjellim të arriturat në botë”, ka thënë Gjikolli.
E Ministria e Shëndetësisë me të cilën siç potencon Gjikolli kanë marrëdhënie të mira bashkëpunimi, pritet të bëjë renovimin e Klinikws së Radiologjisë, me ç’rast parashihet që të bëhet ndarja e qarkullimit për pacientët dhe për personelin.
“Ministria ka pranuar që të bëjë renovimin dhe adaptimin e hapësirave ta sjellin në nivel shumë më të lartë. Për herë të parë do ta ndajmë qarkullimet për pacientë dhe për personel… pra do të ketë hapsirw mw mirw tw organizuar”, shpjegoi ai.
Ndërkaq për ekzaminimet radiologjike që kryhen në institucionet publike në parim nuk ka një çmimore, por pacientët bëjnë pagesat e pjesëmarrjes e të cilat sillen nga 5, 10, 20 e 30 euro./FaktePlus