Për një vit 14 mësimdhënës në Novobërdë morën paga pa shkuar në punë
Zyra Kombëtare e Auditorit të Përgjithshëm në publikimin e raportit për vitin 2018 ka evidentuar shkelje edhe sa i përket dhjetëra të punësuarve në komunën e Novobërdës.
Sipas të gjeturave të Auditorit, janë 14 punonjës në sektorin e arsimit që për një vit janë paguar pa shkuar fare në punë. E pagesa bruto për këta mësimdhënës thuhet se ka qenë hiç më pak se 43 mijë e 393 euro.
Auditori konstaton se mos ofrimi i dëshmive për vijueshmërinë në punë të 14 mësimdhënësve ishte për shkak se ata punëtorë janë të angazhuar në shkollat që menaxhohen nga strukturat paralele, por që pagat i marrin nga buxheti i Republikës së Kosovës, shkruan FaktePlus.
“Nga 20 rastet e audituara në Drejtorinë e Arsimit në Novobërdë, për 14 prej tyre nuk na është ofruar dëshmi për vijueshmërinë në punë, me ç ‘rast e kishim të pamundur të konfirmonim që mësimdhënësit kanë punuar edhe pse ata paguhen me paga të rregullta. Pagesa bruto për këta punëtorë gjatë vitit 2018 ishte 43,393€. Mos ofrimi i këtyre dëshmive ishte për shkak se këta punëtor janë të angazhuar në shkollat që menaxhohen nga strukturat paralele, ndonëse mësimdhënësit në fjalë paguhen nga Buxheti i Republikës se Kosovës. Komuna kishte të zgjedhur me konkurs apo rekrutuar edhe drejtor të cilat paguhen nga buxheti komunal për menaxhimin e po të njëjtave institucione”, thuhet në gjetjet e raportit të Auditorit.
Tutje theksohet se mos ofrimi i të gjitha dokumenteve të kërkuara për auditim është në kundërshtim me legjislacion dhe kufizon mundësinë auditimit të rregull për shpenzimet e pagave në këto raste.
“Pagat për punëtorë që edhe mund të jenë fiktiv apo nuk punojnë fare, paraqesin bazë për mashtrim dhe mund të rezultojnë me humbje financiare për komunën”, konsideron Auditori.
Për këtë shkak, Zyra Kombëtare e Auditorit i ka rekomanduar kryetarin të Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq, që të shikojë e sigurohet se në shkollat që funksionojnë brenda fushëveprimit të komunës, mësimdhënësit kanë ofruar kontributin për të cilin janë kompensuar.
Zyra Kombëtare e Auditimit në gjetjet e saj për vitin 2018-të ka evidentuar shkelje e keqpërdorime nga më të ndryshmet që institucionet e vendit kanë bërë me paranë publike.
Sipas të gjeturave të Auditorit, shkelje janë bërë edhe sa i përket 32 të punësuarve serbë në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).
LEXO: Nuk merren masa ndaj zyrtarëve serbë që u paguan pa qenë asnjë ditë në punë
Këta punonjës ishte planifikuar të sistemoheshin nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës, megjithatë, në aktemërimet e tyre të punësuarit janë sistemuar në pozita të caktuara brenda departamenteve përkatëse në ministri. Edhe në këtë rast ishin bërë pagesa prej 134.657 euro, ani pse punëtorët nuk kishin dalë asnjë ditë në punë./FaktePlus