Për një shofer, ndalohet qarkullimi i trenave, ministritë nuk janë në dijeni
Dita e martë ka qenë fatale për një vajzë të miturën nga Klina. Ajo u godit për vdekje nga treni i linjës Pejë-Prishtinë. E për shkak të kësaj, Policia e Kosovës ka arrestuar shoferin e trenit.
Ky arrestim nxiti reagimin e Kryesisë së Sindikatës së Pavarur të Hekurudhave-Trainkos, e cila bëri të ndalohet qarkullimi i të gjithë trenave në vend, ku përfshihen trenat e mallrave dhe ata të udhëtarëve.
Kjo sindikatë iu kanë bërë thirrje tri ministri, asaj të Punëve të Brendshme, Infrastrukturës dhe Zhvillimit Ekonomik që të angazhohen dhe të bëjnë lirimin e menjëhershëm të kolegut të tyre.
Edhe përkundër thirrjes së sindikatës dhe ndalimin e qarkullimit të gjithë trenave, të tri ministritë nuk janë të informuara për situatën e krijuar.
Të kontaktuar nga Agjencia e Lajmeve FaktePlus, zyrtarë të ministrive thonë se nuk janë sa duhet të informuar për situatën, ndërsa theksuan se nuk bëjnë asgjë lidhur me arrestimin e shoferit të trenit, pasi nuk u lejohet të ndërhyjnë në organet e rendit dhe drejtësisë.
E informuar për këtë situatë nuk është as Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e cila është mbikëqyrëse për ndërmarrjet publike.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i kontaktuar nga Agjencia e Lajmeve FaktePlus, ka thënë se nuk ka pranuar ndonjë njoftim zyrtar dhe nuk është i informuar rreth kësaj çështje.
“Ne nuk e dimë për çka qenka fjala, për shkak se nuk kemi marrë njoftim zyrtar. Por do të shohim si është çështja”, tha shkurt Lluka për FaktePlus.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, tha për FaktePlus se nuk janë të informuar rreth kërkesës dhe ndalimit të qarkullimit të linjave të trenave.
Ai tha se janë të gatshëm të takojnë sindikatën, por ka theksuar se lidhur me arrestimin e shoferit nuk është kompetencë e tyre dhe se nuk do të ndërhyjnë në çështjet e organeve të drejtësisë.
“Te unë nuk ka ardhur ajo ftesë, ajo ankesë. Tani për tani janë organet që merren me këtë çështje, me rastin. Si strukturë politike nuk kam drejtë me ndërhy. Janë organet kompetente që merren me këtë çështje. Nuk kam drejtë unë me interferu. Sindikata lirisht munden me organizu takime, por lidhur me ligjin merren organet e drejtësisë. Unë pa kurrfarë insistimi do t’i takojë sindikatën nëse ata duanë”, tha Mustafa për FaktePlus.
Kurse zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës thonë se kanë ndjerë keqardhje për humbjen e jetës së të miturës në Klinë, por theksuan se lidhur me kërkesën e sindikatës nuk janë përgjegjës.
Shefi i kabinetit të Ministrisë së Infrastrukturës, Argjend Zejnaj, tha për FaktePlus, se nuk pretendojnë të ndërhyjnë në punët e organeve të drejtësisë.
“Ndërmarrja Trainkos i përgjigjen Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, sepse ajo i mbikëqyr ndërmarrjet publike. Kurse Ministria e Infrastrukturës e bënë vetëm rregullimin ekonomik të saj. Krejt këto çështje ata duhet me i diskutu me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Ne nuk pretendojmë me ndërhy në punën e organeve të drejtësisë. Organet e drejtësisë duhet të bëjnë punë e tyre”, tha mes tjerash ai.
Ndërkohë që në njoftimin e Sindikatës së Pavarur të Hekurudhave – Trainkos Sh.A, thuhet se me arrestimin e shoferit të trenit është shkelur Ligji mbi Hekurudhat e Kosovës si dhe Rregulloret dhe Udhëzimet e tjera administrative.
“Përmes këtij njoftimi duam të njoftojmë se nesër me datën 19.09.2019 nga ora 05:00 në mëngjes do të bëhet ndalimi i qarkullimit të të gjithë trenave në Republikën e Kosovës (trenat e mallrave dhe trenat e udhëtarëve)”, ka njoftuar sindikata.
Për më tepër, kjo sindikatë, ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Punëve të Brendshme, që të bëhet lirimi në mënyrë sa më të shpejtë i kolegut të tyre dhe të fillohet të respektohet Ligji mbi Hekurudhat e Kosovës.
Kurse nga Policia e Kosovës ka njoftuar se viktima e gjinisë femërore, gjersa ishte duke kaluar hekurudhën, është goditur nga treni i udhëtareve relacioni Pejë-Prishtinë.
Me vendim të prokurorit drejtuesi i trenit mashkull K-Shqiptar është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, kurse trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.
Ngjarja ka ndodhur të martën, të ora 12:45.
Në gjithë këtë situatë, Ndërmarrja Trainkos vazhdon të mbetët e heshtur. Edhe përkundër përpjekjeve të FaktePlus për të kontaktuar zyrtarë të saj, një gjë e tillë ka qenë e pamundur./FaktePlus