Për krimet e luftës në Kosovë, u dënuan më shumë shqiptarë se sa serbë
Më shumë se 20 vite pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, krime të shumta, masakra e dhunime ndaj popullsinë civile kanë mbetur ende të pandriçuara, ndërkohë që shumë lëndë vazhdojnë të mbesin nëpër sirtarët e institucioneve të drejtësisë. Pavarësisht se shqiptarët kanë qenë viktimë e asaj lufte, nga gjykimet e deritashme të institucioneve vendore e ndërkombëtare shihet se më shumë ka shqiptarë sesa serbë të dënuar. Nga 171 persona që janë akuzuar, 65 persona kanë marrë dënime, e prej tyre 38 janë shqiptarë, 26 serbë dhe një rom.
Edhe gjatë këtij viti vetëm një person është dënuar për krime të luftës. Edhe ky ishte shqiptar. Respektivisht u dënua ish- eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Shala, i njohur me nofkën e luftës si “Molla e Kuqe”.
Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda më 3 korrik të këtij vit shpalli aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Shala, duke i dhënë dënim më burg prej 14 vitesh.
E përpos Shalës, asnjë person nuk është dënuar në nëntëmujorin e këtij viti nga Gjykatat Themelore të Kosovës për gjashtë veprat penale që lidhen me krime të cilat hyjnë në kapitullin “Vepra penale kundër njerëzimit dhe vlerave të mbrojtura me të Drejtën Ndërkombëtare”.
Aty bëjnë pjesë veprat penale “Gjenocidi”, “Krimet kundër njerëzimit”, “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës”, “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktin e armatosur ndërkombëtar”, “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Gjenevës” dhe “Krimet e luftës në shkelje të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar”.
Kujtojmë se në luftën e viteve 1998-99 mbetën të vrarë rreth 15 mijë qytetarë shqiptar nga forcat paramilitare serbe, mbi 20 mijë femra janë dhunuar, kurse të zhdukur vazhdojnë të mbesin edhe mbi 1600 persona.
Nga shtëpitë e tyre në mënyrë të dhunshme u dëbuan rreth 1 milion persona, kurse mbi 200 mijë objekte shtetërore e private u shkatërruan.
Mirëpo, më shumë se 20 vjet pas luftës sjellja para bankës së të akuzuarve për kryesit e këtyre veprave penale, mbetet sfidë për institucionet e sistemit të drejtësisë. Madje edhe pse shqiptarët kanë qenë viktimë e asaj lufte, nga gjykimet e deritashme të institucioneve vendore e ndërkombëtare shihet se më shumë ka shqiptarë sesa serbë të dënuar.
Nga të dhënat që FaktePlus i ka siguruar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, shihet se janë gjithsej katër lëndë të zgjidhura në këtë nëntëmujor. Në njërën prej tyre është shqiptuar dënim, në njërën lëndë është shqiptuar aktgjykim lirues, kurse në dy raste lënda “është zgjidhur në mënyrë tjetër”.
Kurse të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), lidhur me rastet e akuzave e dënimeve për krimet e luftës së fundit në Kosovë, tregojnë se janë akuzuar 171 persona, e dënuar 65. E ajo që bie në sy është fakti se mëse gjysma e të dënuarve janë shqiptarë.
Amer Alija, analist në FDH të Kosovës, tha se që nga përfundimi i luftës pranë gjykatave vendore (diku e përfshirë UNMIK 2000-2008; EULEX 2009-2018) në Kosovë janë akuzuar gjithsej 112 persona, në Serbi janë akuzuar 43 persona, në Malin e Zi është akuzuar 1 person, kurse në Tribunalin e Hagës janë akuzuar 15 persona.
“Duke i përfshirë gjykimet vendore në Kosovë, Serbi, Malin e Zi dhe TPNJ në total janë dënuar 65 persona për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. Nga 65 persona, janë dënuar 38 shqiptarë, 26 serbë, 1 rom”, deklaroi ai.
Sa i përket personave të arratisur, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, janë 28 gjithsej.
Nga FDH konsiderojnë se në përgjithësi nuk është bërë punë e mirë në dënimin e kryerësve të krimeve gjatë luftës së fundit në Kosovë në krahasim me krimet e kryera.
Sipas Alijajt, mosbashkëpunimi mes Kosovës dhe Serbisë, ka bërë që të vjen deri tek kjo gjendje.
“Proceset gjyqësore për krimet e luftës janë sensitive duke pas parasysh edhe mos bashkëpunimin mes Kosovës dhe Serbisë në shkëmbimin e informatave për krimet e luftës në Kosovë ka bërë që këto procese për gjatë 20 viteve që nga përfundimi i luftës të mos rezultojnë me rezultate të mëdha në dënimin e kryerësve për krimet e luftës në Kosovë”, tha Alija.
E përpjekje jo të vogël në zbardhjen e krimeve të luftës kanë dhënë edhe shoqatat e shumta në Kosovë. Por, Shkëndije Hoda nga shoqata “Gjakova 98-99”, ka thënë për FaktePlus se nga dokumentet që i kanë dorëzuar institucioneve, janë të kënaqur vetëm me punën e Policisë së Kosovës.
“Janë afro 1602 lëndë që i kemi paraqitur deri tani si shoqatë dhe janë të formave të ndryshme: nga masakrat e deri te dëmtimet e pronave private e të trashëgimive kulturore. Sa i përket komunës së Gjakovës, mund të them që jemi të kënaqur vetëm me Policinë që vazhdimisht po bën një punë të madhe edhe në terren me ato që ne i paraqesim si fakte”, ka thënë ajo.
Megjithatë, ajo theksoi se nuk është e kënaqur me punën e ndërkombëtarëve.
“Sa i përket ndërkombëtarëve, nuk jemi të kënaqur fare si shoqatë. Edhe pse i kemi dorëzu një mori dokumentesh, angazhimi i tyre është zero, nuk është ndërmarrë asgjë”, ka thënë tutje ajo.
Kujtojmë që për trajtimin e krimeve të luftës së fundmi u përfol e pati iniciativa për krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për krimet e shtetit serb në Kosovë. Ishte kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli që gjatë legjislaturës së kaluar u zotua që do të formohej ky tribunal dhe madje nisi formalisht edhe procedurat për formimin e saj.
Konsiderohet se në luftën e fundit në Kosovë janë të vrarë rreth 15 mijë qytetarë, kurse të zhdukur vazhdojnë të mbesin edhe mbi 1600 persona./FaktePlus