Për 1 javë mbi 60 mësimdhënës dhe dhjetëra nxënës të infektuar, qeveria rekomandon mbylljen e shkollave
Ndonëse me masa strikte në parandalimin e përhapjes së koronavirusit, fillimi i vitit shkollor 2020-2021 ishte i vështirë.
Për shkak të paraqitjes së rasteve pozitive me koronavirus, si në mesin e nxënësve ashtu edhe të mësimdhënësve, shumë shkolla në Kosovë janë mbyllur, kurse mësimi ka kaluar online, shkruan FaktePlus.
Në Kosovë ka filluar që të ketë rritje të raste pozitive si shkak i infektimit me COVID-19. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë bërë me dije për FaktePlus se për momentin në vend janë disa shkolla të cilat po mbajnë mësim online si shkak i numrit të lartë të infektimeve të mësimdhënësve apo nxënësve.
Diellza Kukaj, zëdhënëse në MASH ka pohuar për FaktePlus se në nivel vendi janë mbi 60 mësimdhënës të infektuar dhe mbi 50 nxënës.
“Nga raporti i fundit i inspektoratit të arsimit për mësimdhënësit, nxënësit dhe personelin e infektuar në shkolla, për periudhën 08-12.03.2021 në gjithë komunat e Republikës së Kosovës kemi këto të dhëna: 64 mësimdhënës të infektuar dhe 22 të shëruar, 14 personel të infektuar dhe 6 të shëruar, 52 nxënës të infektuar dhe 21 të shëruar”, ka thënë Kukaj.
Nga Ministria e Arsimit po ashtu kanë bërë me dije se momentalisht në skenarin C (mësim online), janë gjithsej 5 shkolla në krejt vendin ndërkaq 734 shkolla të tjera janë në skenarin A (mësim me prezenc fizike).
“ Sa i përket zhvillimit të procesit mësimor sipas skenarëve për periudhën 08-12.03.2021 janë gjithsej 5 shkolla në skenarin C, 40 në skenarin B ndërkaq në pjesën tjetër në 734 shkolla mësimi po organizohet sipas skenarit A”, ka thënë se Kukaj.
Ndërkaq sot kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka mabjtur takim me Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani, drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqi dhe zëvendës Ministrin e Arsimit Xhavit Rexhaj, ku është vendosur që të mbesin në fuqi masat e njëjta kundër Covid-19, pasi që trendët janë stabile.
Po ashtu në këtë takim është shqyrtuar mundësia për fillimin e mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi. Vendimi lidhur me këtë çështje pritet të merret sot pasdite pas takimit të përbashkët të MASH-it, MSH-së , IKSHPK-së, SBASHK-ut dhe Këshillit të Prindërve.
Ndryshe, Ministria e Arsimit ka paraparë që në këtë vit shkollor, mësimi të realizohet përmes tre skenarëve. Skenari A ka të bëjë me zhvillimin e mësimit në ambientet shkollore. Skenari B, apo mësimi i kombinuar përfshin rikthimin e pjesshëm të nxënësve në shkolla (prezencë e nxënësve në shkolla, e kombinuar dhe me mësimin në distancë) dhe skenari C është mësimi në distancë apo online./FaktePlus
Hoti takon Zemajn, kreun e IKSHPK-së dhe Krasniqin, tregon se a do të ketë masa të reja