Pensionohet mësuesi që mbi katër dekada ua kushtoi nxënësve
Në arritjen e gjithëmbarshme të shoqërisë së një vendi, padyshim kontribut të madh kanë dhënë mësimdhënësit, ata që kanë shpërndarë dritën e dijes. Puna me brezat e rinj për arsimimin dhe edukimin e tyre vlerësohet si bazament kryesor për të ndërtuar një shoqëri të shëndosh. Shumë punëtorë arsimi ia kanë kushtuar një jetë shkollës dhe punës me nxënës. I tillë është edhe mësuesi Miftar Shala, i cili shërbeu mbi 44 vjet në shkollën fillore “Ibrahim Banushi” në Shalë të Lipjanit.
Të shkruash për biografinë e mësuesve të gjeneratës më të ndritshme të arsimit, nuk mjafton vetëm një copë letër. Pjesë e kësaj gjenerate ishte edhe mësimdhënësi Miftar Shala, i cili sot është pensionuar pak pasi ka mbushur më shumë se katër dekada punë të palodhshme dhe kontribut të çmueshëm në arsim.
Atij asnjëherë nuk iu nda ditari nga dora, që nga viti 1974, kur si 21 vjeçar edhe nisi punën për herë të parë në shkollën “Ibrahim Banushi”, atëherë e quajtur “Idriz Ajeti”, në Shalë të Lipjanit.
Gjatë tërë këtyre viteve punë, mësuesi Miftar nuk kurseu mundin dhe vullnetin e tij për të edukuar dhe mësuar gjeneratat e reja.
Mësuesi Tal siç e quajnë ndryshe, në një bisedë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ka rrëfyer jetën e tij profesionale për gjithë këto vite në arsim dhe ndjenjën që ka tash me rastin e pensionimit.
“Kënaqësi që arrita moshën e pensionimit, por njëkohësisht edhe pikëllim që tash po e lë profesionin që kam kryer për 44 vjet me radhë. Kjo është ndjenja e përzier që po më përcjell tash pas 44 vitesh punë si mësimdhënës”, shprehet mësuesi Miftar.
Ai thotë se në gjithë këto vite të punës ka pasur kohë të mira, por edhe të vështira.
“Ka qenë viti 1974 kur për herë të parë kam kapur ditarin në dorë. Mbaj mend qysh atëherë kur bisedonim me kolegë, se edhe sa kohë dalim në pension, natyrisht në atë kohë logjikisht ishte diçka si e largët e pa kapshme. Por, tani kur kam dalë në pension e më duket sikur dje kam nisur profesionin si mësimdhënës, ndërsa sot po e përfundoj!”, shprehet mësuesi.
Mësuesi Tal kujton gjithashtu edhe kohën më të vështirë që përjetuan gjatë viteve të 90-ta. Ai rrëfen se edhe pas largimit me dhunë nga objektet shkollore kishin filluar të punonin pa paga nëpër shtëpi private gjithherë nën kërcënimin e regjimit serb të asaj kohe.
“Vitet e 90-ta ishin kohë e vështira për ne por kurrë nuk jemi dorëzuar me shpresën që do ta përjetojmë kënaqësinë e këtij profesioni në liri. Dhe kjo ditë erdhi dhe jemi shume falënderues për këtë”, thotë mësuesi Miftar.
Ai shprehet falënderues gjithë stafit të shkollës ku në mesin e kolegëve të tij ka dhe ish- nxënës.
Por, ajo që e gëzon mësuesin Tal është fakti se nxënësit e tij të shumë gjeneratave dalloheshin për arritje e ruajtje të cilësisë mësimore, mandej edhe në përvetësimin e dijeve në ciklin e lartë të arsimit më tej.
Ndërkohë harmonia me kolektivin ishte një virtyt tjetër i mësuesit Miftar. Për të ruajnë respekt të veçantë edhe kolegët e tij të punës. Ata japin vlerësimet më të larta për të jo vetëm si edukator, por edhe si njeri.
Madje, ish- drejtori i shkollës “Ibrahim Banushi”, Sami Drenica e vlerëson si të palodhshëm dhe një mësimdhënës shembull për gjeneratat e ardhshme.
Ai është shprehur falënderues ndaj kontributit të tij që ka dhënë për edukimin e brezave të rij.
“Kemi qenë kolegë të mirë me njëri tjetrin, kemi punuar shumë vite bashkë. Mësuesi Miftar është një ndër mësuesit e parë në fshat. Ka qenë njeri i devotshëm në punën e tij. Ndërkaq ne tani që ka dalë në pension i uroj shëndet dhe gjitha të mirat”, ka thënë Drenica./A.B- FaktePlus