PDK merr vendim që të bojkotojë takimin
I pari i PDK-së, Kadri Veseli ka bërë të ditur se partia e tij do të bojkotojë takimin e sotëm të paralajmëruar me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Joseph Borell.
Deklarata e plotë e Kadri Veselit:
Faleminderit për praninë tuaj në këtë konferencë. Në vijëmësi të asaj që kemi komunikuar mbrëmë lidhur me vizitën e përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, zotin Josep Borrell – Partia Demokratike e Kosovës në mbledhjen e kryesisë ka marrë qëndrim përkitazi me zhvillimet e fundit politike që ndërlidhen drejtpërdrejt me këtë vizitë të zyrtarit të lartë evorpian në vendin tonë sot.
Partia Demokratike e Kosovës e vlerëson lartë mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të Bashkimit Europian që i ka ofruar Republikës së Kosovës në të gjitha periudhat e ndërtimit dhe konsolidimit të shtetësisë së saj;
Ne i mirëpresim vizitat e çdo zyrtari të lartë evropian në vendin tonë. Ne i çmojmë përpjekjet dhe përfshirjen në normalizimin dhe avancimin e komunikimit fqinjësor mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Lidhur me takimin e sotëm të thirrur nga Zyra e BE-së në Kosovë mes Përfaqësuesit të lartë z. Borell me udhëheqës të partive politike, unë si kryetar dhe PDK-ja nuk do të marrim pjesë në këtë takim si gjest politik dhe mesazh se:
– Takimi sot është i pakuptimtë në kushtet e mosekzistencës së Qeverisë dhe institucioneve të reja – dhe çfarëdo iniciative për rinisje të procesit të dialogut me palën serbe, është i tejkaluar dhe i paqendrueshëm derisa Kosova vazhdon me qenë peng i inateve dhe paaftësisë për të bërë kompromis dhe për të gjetur zgjidhje dy forcat politike, LVV dhe LDK.