PDK me pako të masave për koronavirus, kërkohet seancë e jashtëzakonshme
Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar një pako të masave për të adresuar ndikimin e pandemisë koronavirus në aspektin ekonomik dhe social.
Bedri Hamza nga PDK, përmes një konference për media, njoftoi se kane dorëzuar kërkesën me nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme më 14 prill – për dy projektligje, Ligji për Masat dhe plotësim/ndryshimin e Ligjit për Menaxhimin e Financave dhe Përgjegjësitë.
Ndër propozimet e pakos së PDK-së, që kap vlerën e 320 milionë eurove, ishin paga nga 300 euro për të punësuarit në sektorin privat të prekur nga masat e ndërmarra për luftimin e koronavirusit dhe fondi prej 40 milionë eurosh përkrahje për ndërmarrjet private.
Hamza gjithashtu prezantoi masat për punonjësit në vijën e parë të frontit në luftën kundër koronavirusit.
“Të punësuarit në sektorin publik që janë në linjën e parë dhe që janë në detyra emergjente, të paguhen nga 300 euro shtesë për tre muaj. Ndërsa të punësuarit që janë në linjën e parë, në Kliniket Infektive, në IKSHP dhe në shëndetësinë primare, jo vetëm personeli shëndetësorë por edhe pastruesit edhe ata që punojnë nëpër kuzhina, të kenë për tre muaj nga 500 euro shtesë”.
Masat e tjera të prezantuara nga PDK-ja ishin edhe për ata që pranojnë pagesa përmes transaksioneve sociale të paguhen nga 100 euro shtesë, subvencionimi i ndërmarrjeve publike, krijimi i Fondit Emergjent për ministritë e linjës në vijën e parë të frontit prej 25 milionë euro, komunave me deri në 50 mijë banorë t’u ndahen 500 mijë euro përkrahje për luftimin e Covid-19 dhe komunat me mbi 50 mijë banorë të përkrahen me një milion euro, shtesat për të punësuarit në sektorin privat në linjën e parë deri në pesë milionë euro, mbështetje për komunitetet joshumicë deri në pesë milionë euro, mbështetje për kompanitë eksportuese deri në 15 milionë euro dhe përkrahje financiare për familjet që nuk kanë të punësuar dhe nuk janë pjesë e skemave sociale deri në 15 milionë euro.
Për implementimin e këtyre masave, Berdi Hamza propozoi tre burime financiare.
“Republika e Kosovës vitin 2019 e ka përmbyllur me një gjendje të mirë financiare, me një bilanc bankar prej 448 milionë euro, që është gjendja më e lartë në vitet e fundit. Shteti ka likuiditet, edhe sot kur po flasim shteti ka bilancin bankar diku rreth 460 milionë euro. Ne po propozojmë qe ky bilanc bankar të zvogëlohet, pa e dëmtuar likuiditetin e shtetit dhe pa e rrezikuar shtetin, për rreth 128-129 milionë euro”.
”Burimi i dytë financiar – rritja e borxhit publik të brendshëm. Kosova e ka përmbyllur vitin 2019 me borxh publik afërsisht 17.5 përqind të Bruto Produktit Vendor. Është situatë emergjente dhe ka nevojë që të jepet infuzion në ekonomi, të përkrahet kërkesa dhe të ruhet fuqia blerëse, edhe e qytetarëve edhe e ndërmarrjeve , dhe borxhi publik të rritet për disa pikë – 140 milionë euro të jenë huazim përmes letrave me vlerë në treg të brendshëm. Burimi i tretë financiar të jetë përmes huazimit nga institucionet financiare ndërkombëtare”.
Hamza theksoi se PDK-ja ka dalë me këto propozime duke mos ndërhyrë në strukturën e buxhetit.