PDK-ja me kërkesë të veçantë për ruajtjen e votës së kandidatëve-e refuzojnë LDK-ja dhe VV-ja
Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur në KQZ një kërkesë të veçantë, por nuk është mbështetur nga subjektet opozitare LDK dhe Vetëvendosje.
Përveç numërimit të fletëvotimeve që bëhet në vendvotime, PDK-ja ka kërkuar që votat e kandidatëve të rinumërohen edhe një herë në qendrën ku grumbullohen votat nga e gjithë Kosova.
Këtë kërkesë të PDK-së dhe kryetarit të saj, Kadri Veseli e ka paraqitur në KQZ anëtari i këtij subjekti politik Ilir Gashi.
Ai e ka arsyetuar këtë kërkesë me qëllim të rritjes së transparencës për votat e kandidatëve për deputetë dhe se në çdo palë zgjedhje KQZ-ja është detyruar të rinumërojë 1/3 e kutive të votimit për shkak të mospërputhjes së votave të kandidatëve me ato të subjekteve politike.
Kërkesa nuk është mbështetur nga përfaqësuesi i LDK-së Sami Hamiti dhe ai i Vetëvendosjes Adnan Rrustemi me arsyetimin se një kërkesë e tillë vjen vonë dhe vetëm 48 orë para ditës së zgjedhjeve.