PDK-ja e AAK-ja pajtohen që 26 janari të jetë data e zgjedhjeve
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se e ka propozuar 26 janarin si datë të zgjedhjeve, propozim i cili thotë se u mbështet edhe nga partitë e tjera opozitare.
Të mërkurën presidentja Vjosa Osmani ftoi në takim liderët e partive politike për të konsultuar datën e zgjedhjeve të rregullta – e cila pas takimit ka thënë se data do të vendoset kah mesi i gushtit.
“Sot në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Kosovës, propozova që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 26 Janar 2025. Kjo është data e parë në përputhje me afatet ligjore. Të njëjtin qëndrim e shprehën edhe partitë tjera opozitare. Partitë e pakicave joserbe u shprehën të gatshme të pranojnë datën e shumicës, apo datën që e përcakton Presidentja. Vetëvendosje dhe Lista Serbe, nuk morën pjesë në takim. Shpresoj që Presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe ta përfillë kërkesën e partive parlamentare që ishin pjesë e këtij takimi dhe ditën e zgjedhjeve ta caktojë më 26 Janar”, thuhet në reagimin e Haradinajt në Facebook.
Edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka propozuar që 26 janari të jetë data e zgjedhjeve parlamentare.
Ai ka shkruar në Facebook se qytetarët dhe Kosova kanë nevojë për një qeveri të re “të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë”.
Krasniqi është shprehur se s’ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme të zgjedhjeve dhe se PDK-ja ka kërkuar disa herë zgjedhje “duke parë keqqeverisjen e deritanishme”.
“Sot, në takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarët e partive tjera parlamentare në Kosovë, kam propozuar 26 janarin e vitit 2025 si datën optimale kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta nacionale në vendin tonë. Partia Demokratike e Kosovës, duke parë keqqeverisjen e deritanishme, ka kërkuar disa herë zgjedhje të parakohshme. Meqë zgjedhjet e parakohshme nuk ndodhën, për zgjedhjet e rregullta nuk ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme – prandaj data e parë e vlefshme duhet të jetë data kur ne duhet të shkojmë zgjedhje. PDK ka qenë, është dhe do të jetë gati për zgjedhje në çfarëdo date. Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një Qeveri të re, të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë, e cila ka dijen dhe kurajon që të rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit evropian”, ka shkruar Krasniqi.
Për mungesën e Kurtit në takim, Krasniqi ka thënë se është ofenduese.
“Është ofendim ndaj presidentes në radhë të parë. Nuk ua di raportet aq mirë sa të kem një ide. Besoj që ftesa është bërë me kohë”, ka thënë Krasniqi.