PDK është përcaktuar për nënkryetarin e Kuvendit, LVV e LDK ende pa marrëveshje
Nesër do të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës. Në këtë seancë do të bëhet zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve, të cilët do ta bëjnë Kryesinë e re të organit me të lartë ligjvënës.
Mirëpo, ende nuk dihet nëse në këtë seancë, partia fituese e zgjedhjeve do të propozojë kandidatin për kryetar, pasi sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e drejta e propozimit i takon vetëm partisë fituese.
Por, nëse nuk ka ngërçe pos kryetarit, nesër mund të propozohen edhe pesë kandidatët për nënkryetar të Kuvendit nga partitë tjera.
Përveç Lëvizjes Vetëvendosje nga një nënkryetar do ta ketë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, kurse një komuniteti serb dhe një komunitetet tjera.
E deri sa partitë fituese të zgjedhjeve Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës deri tani nuk kanë arritur një marrëveshje koalicioni dhe nuk dihet se si do të prezantohen nesër në seancën konstitutive, është PDK-ja që tashmë është përcaktuar.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus, merr vesh se tashmë partia e udhëhequr nga Kadri Veseli, ka caktuar kandidatin për nënkryetar të Kuvendit dhe shefin e ardhshëm të grupit parlamentar.
“Kemi caktuar Hajredin Kuçin për nënkryetar të Kuvendit. Është njëri nga deputetët më reprezentativ. Ndërsa, shef i grupit parlamentar do të jetë edhe në këtë mandat, Memli Krasniqi, pasi ka kryer punën mirë mandatin e kaluar”, ka thënë për FaktkePlus një burim brenda PDK-së.
E për këtë FaktePlus ka pyetur edhe nënkryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, nëse ai do të jetë sërish shef i grupit parlamentar dhe Hajredin Kuçi nënkryetar i Kuvendit, por që të dy nuk ka kthyer përgjigje.
Ndryshe, me 6 tetor 2019 janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, me arsyetimin se kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale për intervistim.
Këto zgjedhje sollën ndryshim në skenën politike, pasi sipas rezultateve tashmë të certifikuara, do të ketë rotacion në udhëheqjen e institucioneve të vendit.
Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje doli e para, derisa Lidhja Demokratike e Kosovës e dyta, të cilat prej disa javësh janë duke u munduar që të arrijnë marrëveshje për koalicion qeverisës.
Mirëpo, LVV dhe LDK ende nuk po mund të pajtohen rreth ndarjes së posteve, pasi partia e Isa Mustafës po kërkon me ngulm që posti i presidentit t’i takojë LDK-së, kërkesë të cilën nuk po e pranon Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.
Mospajtimet mes këtyre dy partive dhe barrikadimi në kërkesat e tyre ka bërë që në seancën e nesërme që do të mbahet për konstituimin e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, të shkojnë pa marrëveshje, gjë e cila do të shkaktojë vonesa edhe më tutje në formimin e institucioneve.
Ende nuk dihet nëse në seancën e nesërme Lëvizja Vetëvendosje do ta propozojë ndonjë kandidat për kryetar të Kuvendit, meqë si parti fituese i takon propozimi për kryetar Kuvendit.
Në qoftë se nuk e propozon, atëherë vendi do të shkojë në krizë edhe më të madhe politike, pasi do të futet në vitin 2020 pa Qeveri e Kuvend të funksionalizuar./FaktePlus