PDK e prerë, në Kuvend e Qeveri nuk kanë vend njerëzit me aktakuza
Ish- deputeti i legjislaturës së gjashtë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kritikuar qasjen e subjekteve rivale politike që kanë shfaqur ndaj kërkesës së liderit të PDK-së, Kadri Veseli për ta nënshkruar paktin kundër korrupsionit.
Në një prononcim për FaktePlus, Krasniqi ka thënë se pavarësisht kësaj, Partia Demokratike e Kosovës do të jetë e pa kompromis në luftimin e korrupsionit dhe se jo vetëm në listën për deputetë, por as në Qeverinë e Veselit nuk do të ketë asnjë person me aktakuza.
“Mungesa e gatishmërisë së partive politike për t’iu bashkuar Kadri Veselit në Paktin Kundër Korrupsionit është vërtetë për keqardhje dhe dekurajim për qytetarët që presin përkushtim të plotë nga klasa politike për ta luftuar korrupsionin”, ka thënë ai.
Sipas Krasniqit, edhe më shqetësues është refuzimi i subjekteve politike për të siguruar qytetarët se në listat e tyre zgjedhore nuk do të ketë persona me aktakuza për korrupsion e nepotizëm, shkruan FaktePlus.
“Pavarësisht kësaj, PDK do të jetë e pakompromis në ketë drejtim dhe jo vetëm në listën tonë, por as ne Qeverinë e z.Veseli nuk do të ketë asnjë person që përballet me ligjin me akuza të tilla. Kjo është çka presin qytetarët nga të gjithë ne dhe na vjen keq që asnjë parti tjetër, përveç PDK-së, nuk e ka guximin që ta bëjë një hap të tillë”, ka thënë në fund Krasniqi.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, gjatë ditës së djeshme u ka bërë thirrje gjithë liderëve të partive politike ta nënshkruajnë një pakt 10-pikësh për luftën kundër korrupsionit.
Ndër të tjera, Veseli ka specifikuar se njëra prej pikave kryesore është që në listat e deputetëve të mos futen personat me aktakuza për korrupsion dhe nepotizëm.
Një pakt i tillë, përkundër partive të tjera, është i pranueshëm vetëm për Aleancën Kosova e re.
Kryetari i kësaj partie, Behgjet Pacolli, tha se do ta nënshkruajë këtë pakt.
Por ai thotë që ideja për luftimin e korrupsionit brenda partive, ka qenë ide e AKR-së shumë më herët.
“Ne do jemi pjesë e asaj por po më duket se nuk ma nevojë të potencohet diçka të cilën ti e ke në shpirtin tënd, edhe unë e di që AKR-ja dhe njerëzit e AKR-së, sidomos ata që kanë qenë në Qeveri, ai është virtyt i tyre. Sinqerisht ne këtë e kemi në programin tonë është shtyllë e programit tonë të punojmë me duar të pastra gjithmonë dhe mos të abuzojmë asnjëherë me të mirën e shtetit dhe paranë e qytetarit”.
“Unë nuk e di sepse vetëm sa kam ardhur prej rrugës, por nëse ka ndonjë pakt ne po e nënshkruajmë atë, s’ka problem, por ky nënshkrim nuk e di çka vlen nëse njerëzit e nënshkruajnë, por nuk e zbatojnë atë”, tha Pacolli./FaktePlus