PDK dëshiron dekretimin e anëtarit në KQZ, AAK po e pret vendimin e Kushtetueses
Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, kanë mbetur pa përfaqësim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Kjo për faktin se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte kërkuar nga koalicioni PAN që t’i dërgonte dy emra për dekretim, por që nga koalicioni nuk ishin marrë vesh se kush të përfaqësohej aty, meqë të tri partitë donin përfaqësim në KQZ.
Si pasojë e kësaj, AAK e Nisma kanë dërguar ankesë në Gjykatën Kushtetuese për ta sqaruar se kujt i takon përfaqësimi në KQZ, meqë në bazë të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, të përfaqësuara duhet të jenë të gjitha grupet parlamentare.
Mirëpo, kur presidenti kishte kërkuar emrat për dekretimin e tyre si anëtarë të KQZ-së, i kishte bërë në bazë të grupeve parlamentare të dala nga zgjedhjet, e jo ato që janë krijuar pas konstituimit të Kuvendit.
Megjithatë, i nominuari i PDK-së për anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Gashi, ka thënë për FaktePlus, se ata si PDK do të përfaqësohen në secilin variant, porse kanë respektuar kërkesat e partnerëve për të kërkuar interpretim në KQZ.
“Siç dihet PAN, nuk ka dërguar anëtar në KQZ, për shkak të paqartësisë së formulës që është vendosur dhe lënda ka shkuar ne Kushtetuese. Ne si Partia me e madhe kemi respektuar kërkesat e partnerëve që të presim edhe një vendim nga gjykata Kushtetuese! Ne si PDK, ne secilin variant te vendimit të gjykatës, do te përfaqësohemi në KQZ. Trupat zgjedhore i takojnë PDK-së brenda koalicionit PAN sipas marrëveshjes!Tani me jemi ne rrethana te reja, ku përfaqësimi është domosdoshmëri duke e parë sensitivitetin e zgjedhjeve dhe kredibilitetit te tyre!”, ka thënë Gashi.
Madje, ai ka theksuar se tani më nuk ka PAN dhe se duhet që PDK të dërgojë një përfaqësues në KQZ.
“Tash me s’ka PAN, dhe PDK, duhet sa më parë të dërgoj anëtarët e saj në KQZ, për t’i dhënë besueshmëri dhe kredibilitet të nevojshëm KQZ-së, dhe presim që Presidenti te na ftoj ditëve në vazhdim”, është shprehur ai.
Ndërsa, në anën tjetër nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka theksuar se ata janë duke e pritur Gjykatën Kushtetuese për ta sjellë një vendim në bazë të ankesës së tyre.
“Ne e kemi dërguar ankesën në Gjykatën Kushtetuese për shkak se sipas ligjit të gjitha partive parlamentare, grupeve parlamentare ju takon nga një anëtarë në KQZ, por ende nuk kemi përgjigje nga Kushtetuesja, prandaj kanë mbetur vendet vakante të tri subjekteve në KQZ. Ne jemi duke pritur përgjigjen nga Kushtetuesja dhe normalisht duhet ta kthejnë shpejt sepse tash kemi të bëjmë edhe me afatin kohor për shpalljen e zgjedhjeve”, ka thënë Isufi për FaktePlus.
Ai thotë se ende nuk kanë pasur diskutime me dy partitë tjera, PDK-në dhe Nismën rreth kësaj çështje.
“Një zgjidhje duhet të bëhet në parim sipas ekzistencës së grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Deri me tani nuk kemi pasur ndonjë kontakt momentin e fundit, por ne mendojmë që duhet t’ia lëmë Gjykatës që të vendosë”, është shprehur Isufi.
Për mbi një vit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kishte qëndruar i bllokuar si pasojë e paqartësive nëse ju takojnë të gjitha grupeve parlamentare nga në përfaqësues në këtë institucion, apo vetëm atyre grupeve parlamentare të cilat kanë dalë nga zgjedhjet.
Pasi Gjykata Kushtetuese i kishte kthyer përgjigje presidentit në kërkesën e tij drejtuar këtij institucioni se ky nuk është objekt shqyrtimi për ta, presidenti Thaçi kishte marr vendim që t’i ftonte partitë që të dërgojnë emrat për dekretim në bazë të grupeve parlamentare që kanë dalë nga zgjedhjet.
Sipas kësaj formule, tri partive politike PDK-AAK-Nisma, u takonin dy përfaqësues, sipas së cilës njëra nga të tri partitë mbeste pa përfaqësues në KQZ. Prandaj, kur ishin betuar anëtarët tjerë, PAN nuk kishte dërguar asnjë kandidat për dekretim./FaktePlus