“Patatja e nxehtë” e Haradinajt
Ramush Haradinaj dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit të premten javës së kaluar, me arsyetimin se është ftuar në Hagë si i dyshuar për krime lufte. Ai tha se po largohet nga Qeveria që të dëshmojë si qytetar e ish-luftëtar, e jo nga posti i kryeministrit.
Por, në fjalimin e tij që mbajti në ambientet e Qeverisë së Kosovës, Haradinaj nuk la pa përmendur edhe taksën që ka vendosur Kosova ndaj Serbisë rreth tetë muaj më parë.
Madje, në këtë rast Haradinaj përveç që njoftoi opinionin për dorëheqjen, e bëri edhe porosinë e drejtpërdrejtë; Taksa mbetet.
“Më lejoni të ju siguroj se: Taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime”, tha mes tjerash Haradinaj.
Porosia e tij duket se ka prekur shumë politikanët në Kosovë. Reagimet për taksën dhe fjalët e Haradinajt kanë nisur menjëherë atë ditë dhe po vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme, shkruan FaktePlus.
Deputeti Ilir Deda ka prezantuar disa nga prioritetet që duhet të ketë Qeveria e ardhshme në 100 ditët e para.
Deda, përmes Facebookut ka thënë se Qeveria e ardhshme duhet të ketë maksimumi 15 ministri, kurse në 100 ditët e para në rrafshin ndërkombëtar, Kosova duhet ta suspendojë taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës.
“Në rrafsh ndërkombëtar, Kosovës nuk do t’ja “vesin letrat” dhe brenda 100 ditëshit të parë do të përballet me pritje të përfundimit të dialogut me Serbinë, dhe aty pritet që Kosova: Menjëherë ta suspendojë taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës; Nuk do të ketë shumë kohë për konsolidim. Qeveria e re duhet të ndërtojë platformë në dialog me Serbinë që ta ruaj sovranitetin dhe integritetin territorial dhe duke punuar në gjetjen e një zgjidhjeje optimale për vetëqeverisjen e serbëve në Kosovë”, ka thënë ai.
https://fakteplus.net/deputeti-deda-keto-duhet-te-jene-prioritetet-per-qeverine-e-ardhshme/
Deda ka thënë se këto prioritete duhet të ndodhin ose pason izolimi i thellë, e ikja nga Kosova do të vazhdojë.
Sot mbushen tetë muaj nga vendosja e taksës
Kujtojmë se pikërisht sot janë bërë tetë muaj që kur ka hyrë në fuqi taksa ndaj mallrave të Serbisë.
Më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të vendoste taksë prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Qeveria këtë vendim e kishte marrë si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për shkak të propagandës së saj të vazhdueshme kundër Kosovës.
Kosova nga Serbia brenda një viti, së paku zyrtarisht, importon mallra në vlerë prej mbi 400 milionë euro, por eksporton vetëm rreth 40 milionë euro për në Serbi.
Që nga vendosja e taksës ndaj mallrave serbe është bllokuar edhe dialogu Kosovë-Serbi, pasi që pala serbe po e kushtëzon vazhdimin e dialogut me heqjen ose pezullimin e taksës.
Mirëpo, Qeveria e Kosovës nën drejtimin e Ramush Haradinajt ka këmbëngulur në vazhdimësi se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia e Bonja të njohin pavarësinë e Kosovës.
Kurse shfuqizim apo pezullim të taksës ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që të vazhdohet dialogu Kosovë-Serbi.
Për shkak të taksës, për herë të parë thuajse pas dy dekadash ka ndërruar krejtësisht bilanci tregtarë mes Kosovës dhe Serbisë.
Derisa nga përfundimi i luftës e deri më tash importi nga ky shtet ka qenë qindramilionësh e eksporti shumëfish më i vogël, tani importi është krejt i vogël. Në bazë të të dhënave, të cilat janë publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), shihet qartë se importi nga Serbia vetëm në janar të këtij viti ka qenë 800 mijë euro, nga 31 milionë euro sa ka qenë në janar të vitit 2018./FaktePlus