Pasuria e sekuestruar dhe konfiskuar – shtëpi, makina, ari e para
Konfiskimi dhe sekuestrimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, përbën njërën nga shtyllat e luftimit të krimit të organizuar në Kosovë. Që nga viti 2011 në vendin tonë është bllokuar pasuri e përfituar në mënyrë të paligjshme që arrin vlerën e mbi 36 milionë euro, por që janë konfiskuar vetëm rreth 2 milionë euro.
Në Ministrinë e Drejtësisë kanë thënë se gjatë këtij viti, ose më saktë deri më 13 dhjetor në total është sekuestruar dhe konfiskuar pasuri në vlerë prej 944,748.89 euro. Nga kjo shifër, shumica e pasurisë është e sekuestruar dhe vlera arrin në 890,444.23 euro, ndërsa është konfiskuar një shumë e vogël ose fiks 54,304.66 euro. Këto shifra janë më të ulëta se sa viteve të kaluara.
Pasuria e konfiskuar dhe sekuestruar menaxhohet nga një agjenci që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Në fakt, ky institucion që quhet Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK) e bën caktimin e vlerës së pasurisë dhe pastaj mundëson shitjen, shkruan FaktePlus.
Pasuria e Burdushit nuk përfshihet në statisika
Rasti i fundit që ka të bëjë me sekuestrimn e pasurisë që dyshohet që është fituar në mënyrë të kundërligjshme ka të bëjë me Basri Peqanin – Burdushin, të cilit i është sekuestruar pasuria në vlerë prej rreth 3 milionë euro, por kjo shifër duket që nuk është përfshirë akoma në statika.
“Prej 1 janarit deri më 13 dhjetor konfiskimi është në vlerë prej 54,304.66 euro. Llojet e pranimit të pasurive të pranuara nga janari deri më tani janë: mjete transporti, para të gatshme, pajisje elektronike, stoli dhe gjëra tjera të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për FaktePlus.
Kurse ankandin e fundit publik që e ka shpallur Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar ka qenë me datë 12 dhjetor 2018, dhe ka qenë i hapur deri me 19 dhjetor. Në shitje kanë qenë 5 asete, më e shtrenjta ishte një veturë BMW në vlerë fillestare 2000 euro. Po ashtu, edhe disa banesa të konfiskuara janë lëshuar me qera.
Në të kaluarën ka pasur edhe shtëpi të konfiskuara, dhe sipas Agjencisë shitja e tyre po shkon në rregull.
“AAPSK-ja të gjitha pasuritë që ka publikuar për shitje në ankande publike në bazë të vendimeve gjyqësore janë shitur, përpos atyre që nuk ka pasur të interesuar edhe përkundër publikimit të ankandeve sipas ligjit në fuqi e këtu mund të hynë vetura; makineri apo paisje të IT-së që nuk kanë ndonjë vlerë të lartë në treg”, thuhet tutje në përgjigjen e Ministrisë.
Mbi 40 vetura të sekuestruara, vetëm një e konfiskuar
Ndërsa zyrtari Shqipdon Fazliu nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka treguar se deri në fund të muajit shtator nga ky institucion në raste të ndryshme janë sekuestruar dhe konfiskuar si pajisje ashtu edhe para të gatshme.
Fazliu tha se janë sekuestruar 42 automjete (vetura, kombi, ekskavator, në vlerë prej 227,359.20 euro, mandej para kesh 50,380.16 euro, dhe të tjera (duhan, pajisje teknologjike, etj.) në vlerë prej 64,253.83 euro.
Sipas tij, po deri në fund të muajit shtator janë konfiskuar, para të gatshme 23 mijë euro, 1 veturë në vlerë prej 4908 euro, si dhe pajisje teknogjike 500 euro. Totali për konfiskime është: 28,418.98 euro.
Sekuestrimet për vepra të ndryshme penale
Sipas një raporti të ofruar nga Shqipdon Fazliu, janë 3 vetura, mandej patundshmëri (shtëpi, banesa, garazhë) që janë sekuestruar nga vepra penale: Mashtrim nga neni 335 par.5, lidhur me nenin 31 dhe 81 të KPRK-së, shpëlarje parash nga neni 308 dhe shmangie nga tatimi nga neni 313 të KPRK-së.
Pajisje elektronike janë sekuestruar nga vepra penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Mandej 1 veturë, para të gatshme, pajisje elektronike janë sekuestruar nga vepra penale: Përgatitja e veprave terroriste ose vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së RK-së nga neni 144 par.3 lidhur me v.p kryerja e veprës terroriste nga neni 136 lidhur me nenin 31 dhe lehtësimin në kryerjen e terrorizmit nga neni 138 par.1 të KPRK-së.
Kurse 13 automjete (vetura, kombi), para të gatshme, pajisje elektronike dhe gjëra tjera të ndryshme janë sekuestruar nga vepra penale: Pjesëmarrja ose organizmi i grupit kriminal të organizuar në ndihmë nga neni 283, lidhur me kontrabandim i mallrave nga neni 317 par.3, shmangia nga tatimi neni 313 par.3, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore nga neni 318 të KPRK-së, tregtia e ndaluar nga neni 305, dhe veprat penale në lidhje me produktet me akcizë, sanksionuar me nenin 300 të KDAK-së
Të dhënat tregojnë se 1 veturë, pajisje elektronike është sekuestruar nga vepra penale: Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armeve apo materieve plasëse nga neni 372 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së.
Po ashtu 4 vetura, para të gatshme, pajise elektronike janë sekuestruar nga vepra penale: Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge nga neni 273 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Janë 2 vetura, para të gatshme, pajise elektronike që janë sekuestruar nga vepra penale: Vjedhje neni 325 të KPRK-së.
3 vetura, pajise elektronike janë sekuestruar nga vepra penale: Vrasje në tentativë nga neni 178 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.
Ndërkaq 7 vetura dhe 1 traktor janë sekuestruar nga vepra penale: Falsifikim i dokumentit nga neni 398 të KPRK-së.
Sipas raportit, paratë e gatshme janë sekuestruar nga vepra penale: importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo e materieve plasëse nga neni 372 i KPRK-së, etj./M.B -FaktePlus