Pasojat afatshkurta e afatgjata që mund t’i sjellë Koronavirusi në ekonominë e Kosovës
Me pesë rastet e para të konfirmuara, edhe Kosova hyri në listën e shteteve që u prekën nga virusi vdekjeprurës Koronavirus, që filloi në Kinë dhe u përhap mandej me një shpejtësi të pabesueshme në të katër anët e globit.
Kufijtë, shkollat, kafiteritë, restorantet e hapësira të tjera u mbyllën, kurse edhe tre qytete u futën tërësisht në karantinë, ndërsa edhe shumë aktivitete tjera u anuluan.
Ky virus krahas viktimave që i ka shënuar në botë e që e ka kaluar numrin 5 mijë, po i godet vendet e botës edhe në ekonomi dhe kjo i ka dhënë edhe rezultatet e para.
E Kosova si vend që varet krye këput nga importi, duket që me krijimin vështirësive të importit dhe me vazhdimin e një situate që askush s’di se kur do të mbarojë, do të pësojë shumë ekonomikisht.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se në aspektin afatshkurtër kjo gjendje do të ndikojë në likuiditetin e bizneseve, kurse në aspekt afatgjatë, ato nuk do të jenë të lehta dhe nuk do të mund të kalohen pa intervenim financiar.
“Ne aspektin afatshkurtë, Koronavirus do të ndikojë jashtëzakonisht shumë ne likuiditetin e bizneseve dhe në mënyrën e organizimit të punës. Në aspektin afatgjatë, do tëvaret nga kohëzgjatja, por pasojat do të jenë jo të lehta të kalohen, pa një intervenim financiar”, ka thënë Rukiqi për FaktePlus.
Sipas tij, me rëndësi është të mos krijohet panik pasi nuk ka nevojë.
“Në bazë të informatave, nuk presim impakte në kufizimin e importeve dhe eksporteve, përveç vonesave të mundshme. Ajo që është me rëndësi të theksohet është që qytetarët nuk duhet të panikojnë për mungesë mallrash, pasi që tregu është mirë i furnizuar”, ka shtuar ai.
Ndërsa për njohësin e çështjeve të ekonomisë, Mustafë Kadriaj, në nivel afatshkurtër nuk mund të ketë rrezik për t’u furnizuar me ushqime, porse në nivel afatgjatë, sipas tij mund të ketë rritje të çmimeve dhe atëherë, edhe Qeveria do ta ketë jo të lehtë ta kontrollojë.
“Se sa do të ketë pasoja në nivel afatshkurtër, vlerësoj që është tek furnizimi me ushqime qe vazhdimisht spekulohet që qytetarët nga nxitja për furnizim, nuk e kanë përfillur edhe afatin e produkteve që do ishte një rrezik në vete. Përndryshe deri më tani nuk kemi rritje të theksuara të çmimeve e në përgjithësi qytetarët janë furnizuar në përjashtim të produkteve shëndetësore. Ndërsa rreziku është në afat të gjatë nëse vazhdon ose me u perkeqësuar gjendja në botë dhe përreth që ne jemi të detyruar që të importojmë të gjitha produktet jetike si ushqimore, shëndetësore dhe furnizimin të derivate që përveç rriskut të bartjes së virusit, njëherit do të kemi rritje të çmimeve sepse secili vend do mendoj për vete dhe nëse bizneset do të furnizohen me çmime të fryera nga jashtë. Kjo determinon edhe në ngritjen e çmimit në tregun tonë dhe në këtë rast nuk mund të ndikojnë as organet kompetente në mbrojtje të çmimit sepse jemi ekonomi e tregut e aq më shumë jemi importues”, ka thënë Kadriaj për FaktePlus.
Kadriaj parashikon që të ketë rritje edhe më tej të importit, çka sipas tij do të ishte fatale për ekonominë e Kosovës.
“Dhe rrjedhimisht ne me prodhimin vendor nuk mund të mbulojmë tregun si me produkte industriale dhe bujqësore dhe kjo do të ndikojë në rritjen e importit që për ekonominë në vend do tëjetë fatale sepse do të rëndohet jeta e qytetarit”, shton tutje ai.
Sipas tij, bizneset si prodhuese ashtu edhe ato në treg duhet të bëjnë parallogaritë për furnizim brenda një viti dhe ta analizojnë situatën kurse Qeveriat’i rrisë rezervat shtetërore dhe të dijë ku t’i shpenzojë.
Kujtojmë që ditëve të fundit nga frika e shpërthimit të koronavirusit edhe në Kosovë, ka pasur blerje masive të produkteve ushqimore, shëndetësore, higjienike e sanitare nga dyqanet e shitjes. Ndërsa ka patur edhe ankesa të shumta për shtrenjtime të produkteve./FaktePlus