Pas tërheqjes, Rusia rrit presionin mbi Khersonin

Forcat ruse lëshuan 33 raketa në objektiva civile në qytetin ukrainas Kherson në 24 orl deri në mëngjesin e së mërkurës, ka thënë ushtria e Ukrainës, ndërsa luftimet u intensifikuan me Rusinë duke vendosur më shumë tanke dhe automjete të blinduara në front, shkruan BBC.
Shtabi kryesor i Forcave të Armatosura të Ukrainës ka thënë në një raport se forcat ruse po sulmojnë zonat e banuara në lumin Dnieper pranë Khersonit me mortaja dhe artileri.
Rusia mohon të ketë shënjestruar civilët. Forcat ruse u larguan nga Khersoni muajin e kaluar në një nga sukseset më të rëndësishme të Ukrainës në luftën 11-mujore, por luftimet kanë hyrë në një fazë të ngadaltë dhe të ashpër me fillimin e dimrit.
“Ka pasur shumë pak ndryshime për sa i përket vijës së frontit, por presioni i armikut është rritur, edhe sa i përket numrit të njerëzve, ashtu edhe për sa i përket llojit dhe sasisë së pajisjeve”, ka thënë analisti ushtarak ukrainas Oleh Zhdanov.
Zhdanovi ka thënë se luftimet u intensifikuan pasi Rusia vendosi automjete të blinduara dhe tanke. Luftimet më të ashpra po zhvillohen rreth qytetit lindor të Bakhmutit, një “qytet fantazmë” i bombarduar që Rusia është përpjekur ta pushtojë prej muajsh me një kosto të lartë.