Pas rritjes së numrit me koronavirus në Komunën e Suharekës, flet kryetari Bali Muharremaj
Janë konfirmuar mbrëmë 30 raste të reja me coronavirus në Kosovë duke çuar numrin total të të prekurve në 510.
Lajmi është bërë i ditur nga Instituti i Shëndetësisë Publike, gjersa njoftohet se 9 persona janë shëruar, duke e çuar numrin gjithsej në 93.
Më së shumti mbrëmë raste kishte nga komuna e Suharekës, gjithsej 11 persona (raste kontakti, 5 në Krushicë të Poshtme, 3 në Suharekë, 2 Reshtan dhe 1 në Bukosh dolën pozitiv, duke e çuar në 32 total numrin e të prekurve në këtë komunë nga shpërthimi i virusit.
Reporteri.net ka kontaktuar me kreun e Suaharekës, Bali Muharremaj, për ta pyetur për gjendjen e të prekurve me coronavirus, nëse kanë mjete mbrojtëse, dhe sa po arrinë t’i dalin në përgjithësi në ndihmë qytetarëve.
Muharremaj ka bërë të ditur se të gjithë personat e prekur janë mirë.
“Në komunën tone mbrëmë dolën pozitiv edhe 11 persona, të gjithë raste kontakti, duke e çuar në 32 persona numrin e të prekurve nga shpërthimi i virusit. 28 persona janë në gjendje të mirë shëndetësore, dy janë në Klinikën Infektive po ashtu në gjendje stabile, një person është shëruar dhe një person ka vdekur”, ka thënë Muharremaj.
Ai thotë se nga informatat që ka marrë nga drejtori i Shëndetësisë, nuk ka persona të tjerë aktualisht që pritet t’iu bëhen testet për Covid 19.
“Sipas asaj që më ka njoftuar drejtori i Shëndetësisë, nuk ka listë të pritjes të personave për të bërë testin për coronavirus”, ka pohuar ai.
Muharremaj ka thënë se kanë mjaftueshëm pajisje mbrojtëse, kjo falë donatorëve e mërgimtarëve nga Suhareka që jetojnë në shtete të ndryshme.
“Po kemi pajisje dezinfektuese, rroba të mjekësisë e gjëra tjera. Të hënën presim t’i marrim edhe 500 litra dezinfektues, nga donatorët. Deri tani kemi marrë donacione në pako dhe pajisje në vlerë rreth 50 mijë euro, falë mërgimtarëve tanë që jetojnë në Itali, Gjermani, Zvicër, SHBA etj. Por duhet të theksoj se nuk kemi fond për para, por merren veç ndihma, pako e pajisje tjera. Deri tani kemi ndarë edhe 1900 pako ushqimore, ku kryetarët e fshatrave evidentojnë familjet që kanë nevojë dhe ua dërgojmë tek shtëpitë. “, ka thënë Muharremaj.
Kreu i Suharekës ndërkaq ka treguar se deri tani dy herë janë dezinfektuar të gjitha fshatrat dhe të gjitha hyrjet e banesave publike.
Ai ndërkaq u ka bërë thirrje, jo vetëm qytetarëve të komunës së tij, por gjithë vendit të qëndrojnë në shtëpi.
“Rrini nëpër shtëpia, mos pranoni mysafirë, mbani higjienën”, ka bërë thirrje Muharremaj.