Pas rrëzimit, Kurti e Konjufca nuk mund të ushtrojnë as detyrën e deputetit
Me 82 vota pro, 32 kundër dhe 2 abstenime, Kuvendi i Kosovës ka votuar pro rrëzimit të qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Me këtë vendim, qeveria aktuale do të jetë qeveri në detyrë, deri në funksionalizimin e një qeverie të re. Ditëve të fundit është përmendur edhe nga eksponentë të rëndësishëm politikë në Kosovë se është e mundshme të ketë një qeveri teknike ose gjithëpërfshirëse në Kosovë.
Në rast se kjo ndodh atëherë shumë nga ministrat do të mbesin edhe pa postin e deputetit.Ky fat do t’i përcjell edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca si dy nga njerëzit më të votuar të Vetëvendosjes. Ata nuk do të mund të jenë deputetë në Kuvendin e Kosovës në rast se krijohet qeveri teknike ose gjithëpërfshirëse.
Në anën tjetër, vlen të theksohet se qëndrimin për qeverinë teknike e ka shprehur deri më tani vetëm Partia Demokratike e Kosovës që ka thënë se asnjë parti politike nuk mund të kalkulojë politikisht mbi PDK-në, duke ritheksuar opozitarizmin e deklaruar më 6 tetor. Mbetet të shihet se cili do të jetë epilogu i situatës së krijuar politike.