Pas pesë vjetësh, në këtë muaj lansohet projekti për banim të përballueshëm
Pas pesë vitesh që kur kishte premtuar kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tek tani pritet që të lansohet projekti për banim të përballueshëm.
Në një sipërfaqe prej 7 hektarësh, në Bërnicë që është rreth katër kilometra larg qendrës së Prishtinës, do të ndërtohet ky objekt që do të ketë mbi 700 banesa.
Ndërtimi i këtyre objekteve, që po konsiderohet si ndër projektet më të mëdha të Prishtinës, do të kushtojë hiç më pak se 40 milionë euro.
Kështu ka bërë të ditur, drejtori i Mirëqenies në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Kukaj ka treguar se projekti pritet të lansohet për publikun gjatë këtij muaji.
“Për këtë ka përfunduar i gjithë projekti të cilin sipas gjitha gjasave e lansojmë për publikun në qershor. Tash i kemi takimet e fundit në raport me projektin. Është projekt i madh dhe do të kushtojë diku rreth 40 milionë euro. Vendi ku do të bëhet ky projekt është në Bërnicë. Atje ne e kemi një sipërfaqe prej 7 hektarësh ku me plane rregulluese lejohet ndërtimi i latë. Nuk kemi pas askund tokë aq shumë dhe me ndërtim të lartë si aty dhe për këtë arsyeje kemi shkuar në atë lokacion. Nuk është larg prej Prishtinës, është diku rreth 4 kilometra prej Qendrës së Prishtinës. Në këtë projekt parashihen të jenë mbi 700 banesa”, ka treguar Kukaj.
Projekti i cili pritet të bëhet publik këtë muaj, është projektuar në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe është kryer në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB).
Drejtori Kukaj ka treguar më tej edhe për mënyrën se si do të procedohet tutje me këtë projekt.
“Projektin e kemi bërë në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës dhe është kryer në Ndërmarrjen Publike Banesore. Kush e ka me ndërtu nuk e dimë, se varësisht kush ka me qenë financuesi. Sipas gjitha gjasave ka me qenë Banka Botërore e bashkë me financuesin e përcaktojnë ndërtuesin ose sipas gjitha gjasave një numër më të madh të ndërtuesve. Varësisht prej institucionit financiar se si ka me përcaktu edhe kushtet e veta, e përcaktojnë edhe të tjerat”, shpjegoi Kukaj.
Banorë të këtyre banesave do të bëhen punëtorët e ndryshëm të sektorit publik, por megjithatë ende nuk është saktësuar procesi i kësaj.
“Ideja për ndarjen e këtyre banesave është që me iu nda punëtorëve të ndryshëm të sektorit publik. Por ende nuk e kemi përcaktu kriteret”, thotë Kukaj për FaktePlus.
Kujtojmë Shpend Ahmeti qysh në fushatën e parë para se të zgjidhej kryetar paraqiti vizionin e tij me plan 12-pikësh, që synonte t’a zbatonte gjatë mandatit katër vjeçar si kryetar komune.
Pra, banimi i përballueshëm që ishte premtuar para pesë vitesh nga Ahmeti, në atë botë kur ai kishte mësyer kryetarllëkut të Prishtinës, kishte treguar edhe si do të ndahen këto banesa.
Ahmeti thoshte se ata janë gjithnjë në shërbim të publikut dhe duke krahasuar këstin mesatar mujor të pagesës për banesa mesatare prej 441 euro, me pagat mesatare të tyre prej 300-400 euro në komunën e Prishtinës.
Ai kishte premtuar një këst prej 100-150 euro për punëtorët e sektorit publik në Prishtinë dhe pronësi të tyre mbi banesa pas 10 vitesh./FaktePlus