Pas përjashtimit, Agjencia për Akreditim bëhet gati të aplikojë në ENQA në shtatorin e 2021-ës
Deri në mars të vitit të ardhshëm Agjencia e Kosovës për Akreditim është duke synuar t’i realizojë kriteret e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) për t’u rianëtarësuar në të. Një nga kushtet për t’u kthyer ku ka qenë është edhe pavarësia e plotë e saj dhe mosndërhyrjet politike.
Drejtori i AKA-së, Naim Gashi, ka thënë se janë duke u përpjekur me të gjitha kapacitetet që të anëtarësohen sërish në ENQA e më pas edhe në EQAR, raporton KTV.
Për shkak të ndërhyrjeve politike të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj e ministrit Shyqiri Bytyqi, ENQA dhe EQAR e patën përjashtuar Agjencinë. As ky veprim nuk e kishte ndalur Haradinajn t’i vazhdonte ndërhyrjet, meqë në fillim të këtij viti i pati kërkuar Bordit të AKA-së që të ketë kujdes të veçantë në trajtimin e kërkesave të kolegjeve private.
Drejtori Naim Gashi ka thënë se presin që ministri i ri i Arsimit, Ramë Likaj, i cili vjen nga partia e Haradinajt, të bashkëpunojë me ta dhe ta respektojë pavarësinë e Agjencisë së Akreditimit.
Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, ndërhyrjet politike në këtë institucion duhet të ndalen përfundimisht, në të kundërtën thotë se pasojat në arsimin e lartë do të jenë afatgjate.
Për qasjen që do ta kenë me Agjencinë e Akreditimit, ministri i ri i Arsimit, Ramë Likaj, nuk është përgjigjur, por kabineti i tij ka theksuar se Agjencisë do t’i sigurohet autonomi e plotë derisa janë zotuar se do ta fuqizojnë bazën ligjore për funksionimin e pavarur të saj.
“Kjo mbështetje do t’i sigurojë AKA-së mundësinë për të përcjellë standardet evropiane dhe kthimin në asociacionet përkatëse (ENQA dhe EQAR). Një prej prioriteteve të programit qeveritar dhe të Ministrisë është edhe rishikimi i Ligjit për arsimin e lartë, por edhe statuteve dhe rregulloreve aktuale bazuar në ligjin në fuqi, për të adresuar nevojat që ky nivel i arsimit të zhvillohet më shpejt, të ketë pavarësi më të madhe, burime të qëndrueshme financiare dhe integrim më të madh me ekonominë dhe arsimin e lartë të BE-së dhe më gjerë”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të Likajt.
Kabineti i Likajt është zotuar po ashtu se do t’i ofrojnë përkrahje AKA-së që t’i plotësojë kriteret për anëtarësim në ENQA dhe EQAR.