Pas PDK-së del edhe LDK me pako emergjente ekonomike
Ish-zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se duhet të merren masa të reja në lidhje me bizneset të cilat po përballen me vështirësi gjatë kësaj faze pandemie.
Ai ka shtuar se duhet te merren masa të shpejta për ta parandaluar mbylljen e bizneseve, teksa ka thënë se masat e propozuara nga qeveria janë të pazbatueshme sepse nuk mund të plotësohen nga një Qeveri në detyrë.
Sipas tij, duhet të merren edhe masa afatgjata.
Postimi i tij në Facebook:
Bashkë me z. Arben Gashi, Kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së, kemi takuar Odën Ekonomike të Kosovës dhe Odën Ekonomike Amerikane bashkë me disa biznese.
Shprehëm qëndrimin tonë se bizneset duhet të kenë mbështetje të menjëhershme, për të parandaluar mbylljen e tyre dhe humbjet e vendeve ekzistuese të punës, si dhe mbështetje afatgjate për investime të reja dhe zgjerim të punësimit.
1. Sa i përket mbështetjes së menjëhershme, duhet masa të shpejta për të parandaluar daljen e firmave nga tregu dhe mbylljen e tyre. Nëse firmat mbyllen tani për shkak të krizës, do të jetë shumë më e kushtueshme për shtetin të kthejë prapë ato në treg. Masat e propozuara nga Qeveria në detyrë janë jo komplete dhe të pazbatueshme në praktikë. Ato masa kërkojnë ndryshimin e Ligjit të Buxhetit për 2020, e cila gjë nuk mund të bëhet me një Qeveri në detyrë.2. Ndërkaq, masat afatgjata duhet të sigurojnë rimëkëmbje ekonomike në pjesën e dytë këtij viti dhe më 2021. Këto masa duhet të mobilizojnë të gjitha burimet e financimit për biznese:
(a) Për bizneset e mëdha, mbështetja mund të jetë përmes kredive me greis periudhë të gjatë dhe me normë shumë të ultë të interesit, si dhe duke parë mundësinë e aranzhimit të kohës së pagesës së obligimeve tatimore.
(b) Për ndërmarrjet e vogla dhe mikrondërmarrjet, mbështetja duhet të jetë e drejtpërdrejt duke financuar kapitalin fizik dhe kostot operative afatshkurtra.
(c) Për bizneset bujqësore, përpunuese të produkteve bujqësore e blegtorale, si dhe për bujqit, mbështetja duhet të jetë masive, e menjëhershme dhe e drejtpërdrejt, e targetuar në produkte me produktivitet më të lartë, e cila mbështetje siguron që të zvogëlojmë brenda dy viteve varësinë nga importi i produkteve bujqësore. Kjo është gjithashtu me rëndësi sepse bujqësia dhe zinxhiri prodhues e përpunues bujqësor është intensiv në faktorin punë, pra angazhon mjaft fuqi punëtore. Investimet kapitale në bujqësi duhet koncentruar urgjent në rritjen e sipërfaqeve nën ujitje, e cila e rrit produktivitetin shumëfish.