Pas pak Pacolli arrin në Prishtinë, Vitia: Karantina vlen për të gjithë
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia derisa ka folur rreth masave të reja ka komentuar edhe kryetarin e Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i cili sot pritet të vijë në Kosovë.
Vitia me këtë rast tha se për çdo qytetar që hynë në Kosovë standardet janë të njëjta.
“Çdo person i cili në mënyrë të drejtë të rregullt ka hyrë në Kosovë janë disa standarde për të gjithë dhe një pjesë e tyre, të themi shumica, kanë shkuar në karantinë një e pjesë e qytetarëve të moshuar që kanë qenë mbi 70 vite, personat të cilët kanë pasur një dokument që vërteton një sëmundje kronike janë liruar në shtëpi mirëpo me nënshkrimin e një deklarate nën betim se do të qëndrojnë në shtëpi i vetizoluar për 14 ditë. Këto janë masa për ruajtjen e shëndetit publik të qytetarëve dhe natyrisht ky është një trajtim që duhet të vlej për të gjithë sepse ne si MSH nuk do të guxojmë të lejojmë“, tha ai.
Ministri Vitia tha madje se nuk është i njoftuar as për lejen e dhënë për kryetarin e Partisë të Serbëve të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq. Ai tha se nga Pacolli nuk ka pranuar ndonjë kërkesë prandaj nuk është fare në dijeni për të.
“Absolutisht nuk jam për këtë gjë. Unë mund të them se as për zotëri Jabllanoviqi e as për zotëri Pacollin që u përmend më herët nuk kam asnjë edhe një shkresë zyrtare dhe asnjë njoftim zyrtar nuk jam fare në dijeni për këtë punë. Ndoshta më duhet të shtoj se kam parë reagime dhe ndoshta politizime të panevojshme sa i përket situatës së Pacollit, por ju garantoj se në ministrinë e Shëndetësisë nuk ka pasur asnjë kërkesë të vetme as e-mail, as kërkesë zyrtare as thirrje telefonike as nga Pacolli, as nga dikush nga bashkëpunëtorët e tij për të kërkuar leje ose diçka të ngjashme për të diskutuar se cilat janë masat”, tha ai.
Kryetari i AKR-së pritet të arrijë në Aeroportin e Prishtinës pas pak. AI më herët ka refuzuar se do të vendoset në karantinë prej 14 ditësh.