Pas LDK’së, edhe AAK i kërkon Kurtit ti kthejë sa më shpejt përgjigje Thaçit
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i ndajnë rrugët përfundimisht në koalicionin e shpresës sapo që të propozohet emri i ri për mandatarin. LVV thotë se do ta dorëzojnë emrin, por, s’japin afate. Në anën tjetër, LDK ka bërë presion që kjo të ndodhë deri në fund të javës. Se nuk duhet që të vonohet propozimi i emrit po thonë edhe nga AAK’ja që me gjasë do të jenë partnerët kryesorë të Isa Mustafës në qeverinë e re.
Veç edhe këtë javë po thonë nga LDK’ja se e ka në dispozicion partia e parë e dalë nga zgjedhjet e gjashtë tetorit që të propozojë emrin për mandatarin.
Ani pse Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh afate se kur duhet të bëhet propozimi i emrit për mandatar, pas kërkesës së presidentit të shtetit, nga LDK’ja po kërkojnë që kjo të ndodhë brenda kësaj jave, duke iu përmbajtur një afati prej 15 ditësh, që e parashikon kushtetuta vetëm pasi që të dorëzohet emri.
Se nuk duhet që të ketë vonesa për propozim të mandatarit po thonë edhe në partinë që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, që me gjasë do të jetë partneri kryesor i LDK’së nëse ju jepet e drejta për formimin e qeverisë së re.
Deputeti i AAK’së, Pal Lekaj ka thënë për Gazetën Express se emri i mandatarit nuk duhet që të vonohet në pakufi, duke përdorur zbrazëtinë kushtetuese për këtë temë.
“Tashmë përvoja parlamentare na ka mësuar këto situata juridiko-politike, shto këtu edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e mandatarit gjatë verës së vitit 2014. Sipas shumë opinioneve ligjore të ekspertëve të ndryshëm pas rrëzimit të qeverisë është në diskrecionin e presidentit pas konsultimeve me partitë politike të vendosë për shpërndarjen e kuvendit ose jo. Në situatën e tanishme presidenti ka vendosur të kërkojë një mandatar për formimin e qeverisë duke ju drejtuar kështu partisë që doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, pra LVV. Por, kjo nuk do të thotë që ajo mund ta vonojë propozimin për mandatar deri në pakufi duke keqpërdorur faktin që kjo nuk precizohet në kushtetutë”, ka thënë ai.
Lekaj shton se nëse LVV refuzon që të përgjigjet mund të pritet deri në 30 ditë që pastaj e drejta për të formuar qeverinë t’i kalojë një partie tjetër.
“ Është jashtë çdo etike politike prolongimi për faktin që nuk është saktësuar afati i kthimit të një përgjigje ndaj kërkesës së presidentit për mandatarin. Pra partia fituese e ka detyrim të përgjigjet ndaj kërkesës së presidentit edhe nëse e refuzojnë mandatarin ose në të kundërtën presidenti mund të pres deri në një kohë të arsyeshme (15 ditë ose edhe 30) dhe mos përgjigjen e partisë fituese ta marrë si refuzim për të mandatuar një kandidat pastaj është në dorën e presidentit të zgjedhë një mandatar që supozohet t’i ketë 61 vota të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë deputeti i AAK’së.
LDK-ja tashmë ka paralajmëruar se do të bashkëpunojnë me AAK’në, Nismën dhe pakicat për krijimin e qeverisë së re.
LVV në anën tjetër i kanë kthyer përgjigje presidentit për këtë temë, por, jo edhe emrin e ri për mandatar. Sipas tyre, kjo do të bëhet sapo që të krijohen kushtet, duke mos sqaruar afate kohore.