Pas ‘kërcënimeve’, Hoti i jep një përgjigje Haradinajt
Kryeministri Avdullah Hoti ka komentuar para mediave pas takimit në Presidencë, deklaratën e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj lidhur me mundësinë e daljes nga koalicioni qeveritar për shkak të procesit të dialogut.
Hoti ka thënë se ai do t’i mbajë të informuar të gjitha palët dhe nuk ka ndonjë arsye që të merren veprime të tilla për shkak të procesit të dialogut.
“Për shkaqe të dialogut unë do t’i mbajë të gjitha palët plotësisht të informuara , nuk do të ketë askush asnjë arsye të ndërmarrë ndonjë veprim për shkak të dialogut”, është shprehur kryeministri Hoti.
Ditë më parë Ramush Haradinaj tha se nuk i beson Hotit nëse ky i fundit nuk i beson ministrit të Drejtësisë nga radhët e AAK-së, Selim Selimi.
Madje Haradinaj paralajmëroi e në një formë kërcënoi se mund të dalin edhe nga Qeveria nëse vazhdohet me këtë qasje nga Avdullah Hoti dhe kushdo tjetër./FaktePlus