Pas Haradinajt edhe Thaçi takohet me Aben
Presidenti Hashim Thaçi ka pritur sot në takim ministren e Shtetit për Punë të Jashtme të Japonisë, Toshiko Abe, me të cilën biseduan për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve dhe për temat me i interes bilateral.
Në këtë rast Thaçi ka falënderuar ministren Toshiko Abe për mbështetjen politike që Japonia i ka dhënë Kosovës në tri dekadat e fundit, sidomos në zhvillimin ekonomik, në arsim, media dhe ambient.
“Këto ditë shënojmë 10 vjetorin e lidhjeve të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve. Vizita juaj në Kosovë dhe nënshkrimi i marrëveshjeve ndërmjet dy shteteve do ta forcojë edhe më shumë këtë bashkëpunim. Për neve Japonia mbetet një shtet strategjik”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Përveç temave politike dhe ekonomike, në këtë takim është biseduar edhe për bashkëpunimin kulturor dhe sportiv.
Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova me atletët e talentuar mezi pret të marrë pjesë në Lojërat Olimpike që do të mbahen në Tokio më 2020.
Kurse ministrja e Shtetit për Punë të Jashtme të Japonisë, Toshiko Abe, ka ofruar mbështetjen e Japonisë për Kosovën në të gjitha fushat.
Ajo ka theksuar se shumë shpejt Japonia do të hapë edhe ambasadën e saj në Prishtinë, e cila do t’i lidhë edhe më shumë dy shtetet dhe dy popujt.
Në fund, presidenti Thaçi ka mirëpritur hapjen e ambasadës japoneze në Prishtinë si një hap të madh drejt forcimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Paradite edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është takuar ministren e Shtetit për Punë të Jashtme të Japonisë, Toshiko Abe.
Shefi i ekzekutivit tha se tashmë kur po shënohet 10-vjetori i marrëdhënieve të shkëlqyera diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, me ministren Abe janë pajtuar që bashkëpunimi bilateral të avancohet në dimensione të reja.
“Hapja e ambasadës japoneze në Kosovë në vitin 2020 do t’i jap impuls të ri miqësisë dhe partneritetit tonë. Japonia, si mbështetëse e madhe dhe e gjithanshme e Kosovës në rrafshin ekonomik dhe politik, mbetet partner i rëndësishëm në konsolidimin tonë ndërkombëtar”, ka thënë Haradinaj./FaktePlus