Pas disfatës ndaj Gironës, Perezi takohet me Solarin
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, dhe trajneri Santiago Solari u takuan mbrëmë. Mirëpo, këto takime nuk janë të pazakonshme pasi që Perezi edhe shkon në zhveshtore të Real Madridit, pas çdo ndeshjeje.
Por, ky takim vjen në një pjesë tejet të rëndësishme të sezonit për Real Madridit, pasi që madrilenët duhet t’i kthehen formës së mirë, pas disfatës së tyre të fundit, kundër Gironës, në shtëpi.
Ashtu siç ishte raportuar nga “El Chiringuito de Jugones”, takimi zgjati për më shumë se dy orë dhe Perezi dëshironte ta dinte gjendjen e skuadrës, veçanërisht pas disfatës së fundit, që i ktheu dyshimet se klubi mund të jetë në krizë.
Kjo disfatë bëri që Real Madridi t’i humbë tri pikë shumë të rëndësishme në garën për titullin e La Ligës, pasi që ecuria e mirë e tyre kishte bërë që ata ta ngushtojnë diferencën me Barcelonën në këtë ligë.
Ajo që është më shqetësuese është se java e kaluar dëshmoi se ndoshta në Real Madrid nuk kanë ndryshuar shumë gjëra, përkundër që në publik dukej se situata ishte përmirësuar. Por, ndryshimet e Solarit në skuadër dështuan përsëri.
Drejtuesit e Real Madridit nuk duan të shohin dobësi të tilla vendimmarrjeje për ndeshjen e së dielës, kundër Levantes. Por, ata ende i besojnë kësaj skuadre dhe janë duke e mbështetur trajnerin me shpresën se kjo gjë do të ndikojë në vetëbesimin e skuadrës.