Pas dështimit për çeljen e negociatava te Maqedonisë Veriore, reagon Ali Ahmeti
Refuzimi i Bashkimit Evropian për të hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin e kësaj të fundit në familjen evropiane, ka bërë që të ketë reagime të shumta në këtë shtet dhe me gjerë.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka reaguar pas këtij vendimi të BE-së, duke thënë se Bashkimi i premtuar me komunitetin euroamerikan po ndodh.
“Rruga jonë e shtruar dhe e dëshiruar drejt NATO-së tashmë po jetësohet dhe është realitet. Bashkimi i premtuar me komunitetin euroamerikan po ndodh. Rruga drejt Bashkimit Evropian duhet të vijojë për vetën tonë, për qytetarët tanë sepse ne përfitojmë nga përafrimi i i standardeve tona me ato të vendeve anëtare”, ka thënë Ahmeti.
Kreu i BDI-së ka ftuar të gjithë që të vazhdojnë rrugën e shtruar drejt NATO-së dhe BE-së, pa asnjë ndalesë, pavarësisht të gjithave.
“Kjo rrugë është shtruar me veprimet tona të guximshme dhe vizionare andaj dhe duhet të vijojë pa asnjë ndalesë, pa asnjë pengesë, pa asnjë pendesë”, është shprehur Ahmeti. /FaktePlus