Pas alarmit për bombë, Aerporti i Prishtinës tregon se a janë të sigurt udhëtarët
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” ka pranuar një kërcënim tjetër me bombë të enjten.
Policia ka njoftuar se menjëherë ka dalë në vendngjarje, duke ndërmarrë masat e nevojshme për ta siguruar lokacionin, derisa ka evakuuar edhe personat që ndodheshin në aeroport.
“Bazuar në informacionet e pranuara, Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme policore në funksion të trajtimit dhe hetimit të këtij rasti, duke angazhuar njësitet relevante policore, përfshirë ato për trajtimin e materieve shpërthyese dhe njësitin me qenë (K-9). Policia e Kosovës, po ashtu ka ndërmarr veprime konkrete duke evakuuar personat/qytetarët në perimetrat e sigurisë, përderisa do të vazhdojë angazhimin e saj në bashkëpunim dhe koordinim edhe me institucionet tjera relevante”, thuhet në njoftim.
Zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës ‘Adem Jashari’, Valentina Gara ka konfirmuar se kanë pranuar një kërcënim për bombë.
Gara përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se udhëtarët dhe personeli janë evakuar dhe janë të sigurt.
“Konfirmojme se kemi pranuar nje kercenim me bombe. Udhetaret dhe personeli jane evakuar dhe jane te sigurte. Ekipet e involvuara ne planin emergjent jane duke kryer detyrat e tyre. Do te ju mbajme te informuar “, shkroi Gara.
Po ashtu edhe Policia e Kosovës përmes një komunikate të lëshuar bëri të ditur se janë marrë të gjitha masat e sigurisë në ambientin e aeroportit.
Dy javë më parë Aeroporti kishte marrë një kërcënim tjetër me bombë, i cili më pas ka rezultuar se ishte i rremë.