Pas 48 ditësh në karantinë, Malisheva kërkon heqjen e saj
Shtabi Komunal për Menaxhimin e Situatës me COVID-19 në Malishevë kërkon heqjen e karantinës për qytetarët e kësaj komune, pas 48 ditëve të vendosjes së kësaj mase për shkak të numrit të rasteve me koronavirus.
Në një deklaratë për media thuhet se karantina e ka dhënë efektin e vet, pasi që numri i të shëruarve po shënon rritje çdo ditë.
Aktualisht në Malishevë, janë edhe 18 persona në kurim e sipër, ndërsa 57 janë shëruar plotësisht dhe nuk ka vatër të re të infeksionit.
Shtabi Komunal për Menaxhimin e Situatës me COVID-19 në Malishevë kërkon nga IKSHP-ja të rekomandojë shfuqizimin e vendimin për futjen e Malishevës në karantinë.
“Të qenit në karantinë, e ka kryer efektin e saj, prandaj, ka ardhur koha që qytetarët e Komunës së Malishevës, të lirohen nga kjo masë, e cila realisht është më e ashpra e mundshme që është zbatuar”, thuhet në deklaratë.