PARULLAT
Kolona të gjata të njerëzve, jo vetëm bashkëfshatarë, pritnin në rend për t’i taku të burgosurit politikë të sapoliruar. Të dy kishin përfitu nga amnistia e përgjithshme dhe ishin liru nga burgu, ndonëse Aliu kishte edhe tri vjet burg e Gima edhe një vit. Pritjet i bënin ndaras dhe nuk e kishin taku ende njëri-tjetrin dhe nuk dihej nëse do ta takonin. Sidoqoftë, njerëzit e respektonin vendimin e tyre për të mos u taku dhe nuk e diskutonin nëse po bënin mirë apo jo. Që të dyja familjet ishin organizu mirë dhe i pritnin njerëzit me nderimet që u takonin për nderin që ua bënin. Thua se ishin marrë vesh, qoftë në njërën odë qoftë në tjetrën, në krye të vendit rrinin ulur protagonistët, të burgosurit politikë. Aliu e Gima njiheshin moti – Aliu mësues e Gima bujk. Aliu, nja pesë a gjashtë vjet më i vjetër dhe intelektual, ndaj nuk u kish rënë me ndejtë bashkë kushedi se sa. Aliu mësues i marksizmit kishte preokupime të tjera nga Gima. Por, në burg kishin rënë bashkë dhe ishin dënu në të njëjtin proces gjyqëso. Ndoshta për këtë arsye, teksa prisnin miq e bënin analiza e prognoza politike për të ardhmen e vendit e për dashurinë ndaj flamurit, për sakrificën, duke manifestu edhe njëfarë dhembshurie dhe mirëkuptimi që jo të gjithë mund të kontribuonin njëjtë për atdheun, edhe mendonin të njëjtën gjë- mendonin për nja tetë vjet më parë…
“Çu more katunar gjena najsen me pi se s’kapërcehet nata kështu!”, i tha Aliu Gimës, teksa ishin mërzitë në sallën e arsimtarëve në shkollën fillore të fshatit, e ora kish kalu njëmbëdhjetëshin e natës, e dritaret fishkëllonin si pipa shelgjeje në pikë të pranverës, e një borë e egërt e kish mbulu oborrin e shkollës dhe tash veç shtresohej pa ia prishë kush. Gima po i mblidhte troshat e fundit të një mishi të konservuar që i kishin ble bashkë me Aliun diku kah mbrëmja kur ishin stacionu në shkollë për të bërë rojën e detyrueshme që e bënin një mësues dhe dikush nga fshati gjatë gjithë natës, që nga pranvera e vitit të kaluar kur nëpër Kosovë kishin shpërthy demonstrata. Ç’është e vërteta në katundin e tyre nuk kish pasë demonstrata, veç do thirrjeve të djemve të rinj të katundit kur i ndezën zjarret natën e një majit dhe bërtitën disa herë Kosova Republikë. “S’paske lanë as trosha edhe i paske terë birrat shok mësus”, i tha Gima, duke lëpi gishtat e çarë nga punët që bënte. Tash e hetoi që mësuesi Ali i kish pi të katër birrat që i kishin marrë për ta kalu natën në rojë. “Ani çu shko merrna najkun najsen me pi o katunar”, i tha prapë mësuesi Ali, i cili ndonëse ishte nga ai katund, familjen e kishte në qytet, ku jetonte edhe vetë, por e kishin transferu për mësim në katund, meqenëse disa herë inspektorët e komunës e kishin gjetë që kish mungu në mësim pa arsye e ai ishte i bindur që po ia bënin për inat, për shkak se ai ishte mësues i marksizmit dhe nuk ishte sikur mësuesit e tjerë që nuk kishin shpresa për t’u avancu e për ta lëshu ditarin nga dora. Mësuesi Ali e kishte synim Komitetin, ishte i bindur që një ditë Komiteti i Partisë kish me ia siguru një pozitë të rëndësishme në pajtim me përgatitjen profesoniale – nja dy javë kish qenë në një seminar në shkollën e partisë në Kumrovc madje dhe sa herë të tjerët flisnin për ushtrinëm ai fliste për dy javët në Kumrovc, duke iu shmangu dyjavëshit. “Kur kemi qenë në shkollë në Kumrovc”, thoshte shpesh mësuesi Ali.
“Po ku me marrë tash o mësues? Gati gjysa e natës, veç n’të prufsha kashtë prej plemës n’kët vakt”. Por, seç i kish mbetë një shije e konservës a e vegetës në gishta dhe edhe atij i pihej diçka, Jo se kishte kushedi farë respekti për mësuesin Ali, se e njihte që nga vogjëlia, por i pihej diçka dhe e veshi bundën e lëkurës që i kishte jakat me lesh, të cilën ia kishte dhënë vëllai që punonte shofer autobusi në Kosovatrans dhe u nis për në katun, që ishte nja 10 minuta këmbë. Hulumtoi nëpër odë e në shtëpi por nuk gjeti gjë – asnjë pikë raki e birra jo se jo. Me shku në shitore, ia kishte frikën shitësit se do ta denonconte në polici që nuk kish ndejtë në vendin e rojës… E mbushi një shishe me rasoj të kuq dhe u kthye në shkollë. Mësuesi Ali në fillim u bë nervoz, por pastaj, kur e mbërtheu etja i ranë shishes me rasoj dhe e thanë për nja gjysmë ore.
Gjumi po ua rëndonte sytë. Në fshat e rreth shkollës asnjë lëvizje. Dy policë i vizituan nja pesë minuta dhe kur e panë që s’ka gjë për të pi a për të ngrënë ikën shpejt duke ua tërheqë vërejtjen që të kujdeseshin dhe ta kryenin detyrën me nder. “Unë du me ia futë gjumë e ti rri çuet se ti nesër flen e unë kam me iu qitë gjave e më i qitë te kroni për ujë”, tha Gima dhe mori me dalë jashtë, por u kthye se ishte zbathë, pasi opingat e llastikut i ishin mbushë borë e ia kishin lagë çorapet e leshta. Edhe mësuesit Ali i ishin lagë çorapet kur i kish përcjellë policët dhe të dy i kishin lënë çorapet nën koftorr për me u terë. I futën këmbët e zbathura njëri në opinga e tjetri në këpucë, por bënte shumë ftohtë dhe mësuesin Ali e kishin zënë tashmë birrat e Gima po nirthte fort. Pasi e përshkuan korridorin, u ndalën në pragun e derës së hymjes të shkollës dhe ia grahën shurrës prej aty duke qeshë me njëri-tjetrin, si kur kishin qenë fëmijë dhe shtyheshin se kush po e gjuan shurrën më larg.
Për me ngacmu mësuesin e marksizmit, Gima e shkruajti në borë me shurrë “K R”, ndërsa mësuesi Ali, për t’iu hakmarrë Gimë katunarit dhe për ta dëshmu orientimin e tij e shkroi në borë “TITO”. Duke qeshë e duke fshi gishtat e lagur, Gima e mësuesi Ali u futën brenda dhe ia krisën një gjumi të thellë e të embël, të rënduar nga pija e nga të ftohtit. Sapo ia kish dhënë ferku i mëngjesit, një rrapëllimë e derës ua prishi gjumin dy rojtarëve, Gimës e mësuesit Ali. Ishin dy policët që ishin kthyer ndërkohë.
Në hetuesi i rrahën keq ndërsa gjyqi nuk i përfillte arsyetimet e tyre. Gima thoshte se e kundërshtonte kërkesën për republikë të Kosovës dhe për këtë arsye e kishte shkru në borë me shurrë atë parullë, ndërsa mësuesi Ali këmbëngulte se duke e shkru TITO e kishte mbrojtë orientimin e tij në vijë me partinë dhe për ruajtjen e rendit kushtetues të Jugosllavisë.
Gima u dënua me 9 vjet burg e mësuesi Ali me 12. Fillimisht i çuan në të njëjtin burg e pastaj i ndanë e pastaj prapë i bashkuan. Nuk i folën më njëri-tjetrit. Për çudi i liruan të njëtën ditë, në amnistinë e përgjithshme për të burgosurit politikë, në verën e vitit 1990. Ndërkohë që familja e mësuesit Ali ishte kthy në katund pasi mësuesi kish ra n’burg, edhe një vëlla të Gimës e kishin përjashtu nga puna. Të dyja familjet kishin hapë dyert për me pritë njerëz që viznin për t’i vizitu të kthyerit nga burgu. Gima e Aliu sa herë dilnin në prag të dyerve të odave të veta dhe e shihnin njëri-tjetrin, pasi shtëpitë i kishin jo larg ndërmjet vete, sikur u shkonte buza në gaz, sikur i thoshin njëri-tjetrit “a shtyhemi se kush po e gjun ma larg”.
Rrahman Paçarizi
08.04.2020