Partitë s’i shlyejnë borxhet, asnjë aplikim për t’u certifikuar për zgjedhjet e 15 marsit
15 marsi i këtij viti do të jetë dita kur partitë politike do t’i masin forcat në Komunën e Podujevës.
Kjo për shkak se pikërisht në këtë ditë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme komunale.
Të gjitha partitë të cilat do të jenë pjesë e këtyre zgjedhjeve për dhjetë ditë fushatë do të kërkojnë votën e qytetarëve të kësaj komune për të zgjedhur udhëheqësin e tyre.
Zgjedhjet erdhën për shkak se kryetari i deritanishëm Agim Veliu, ka dhënë dorëheqje pas zgjedhjes në postin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës në Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.
Por, në zgjedhjet e 15 marsit nuk mund të certifikohen ato parti që nuk kanë shlyer gjobat ndaj Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e që u janë shqiptuar në zgjedhjet e kaluara të 6 tetorit të vitit 2019, shkruan FaktePlus.
Në PZAP kanë treguar se gati të gjitha partitë kanë ende gjoba që nuk i kanë paguar, e që rrjedhimisht nëse nuk ka ndryshim të gjendjes nuk mund të marrin pjesë as në zgjedhje.
Kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus së këto parti nuk do të mund t’ia mësyjnë garës për kryetar komune më 15 mars pa shlyer fillimisht borxhet paraprake.
“Ato nuk mund të certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhje pa i paguar gjobat në tërësi’, ka thënë Desku.
Ai ka deklaruar se të gjitha subjektet politike që kanë borxhe janë të obligueshme që t’i paguajnë ato.
“Subjektet politike për të garuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në Komunën e Podujevës të cilat do të mbahen më 15 mars 2020 në bazë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme janë të obliguara që t’i paguajnë të gjitha gjobat nga zgjedhjet e kaluara”, ka thënë ai për FaktePlus.
Sipas PZAP-së borxhi total i tyre arrin shifrën prej 360 mijë euro.
Ndonëse PZAP ka paralajmëruar të gjitha subjektet politike që brenda muajit janar t’i kryejnë obligimet e tyre, këto të fundit nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë.
Mirëpo ka edhe disa nga to të cilat kanë filluar pagesat.
Është koalicioni Nisma- AKR- PD e cila ka paguar 33 mijë e 900 euro, Lëvizja Vetëvendosje 14 mijë 100 e euro, Kosova Demokratik Turk Partisi ka paguar 1 mijë e 100 euro, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës 250 euro, Koalicioni AAK-PSD i ka paguar 7 mijë e 500 euro.
Ndërsa, aktualisht gjendja e gjobave të shqiptuara nga PZAP ndaj subjekteve politike, të pa është si në vijim:
Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK = 74,850.00 euro (Nuk ka paguar)
Partia Demokratike e Kosovës – PDK = 100,100.00 euro (Ka paguar 45,000.00 euro – ende të pa paguara 55,100.00 euro)
Lëvizja Vetëvendosje! = 14,100.00 euro (Ka paguar gjithë borxhin)
Lista Serbe = 36,500.00 euro (Ka paguar borxhin)
Koalicioni AAK-PSD = 89,600.00 euro (Ka paguar 7,500.00 euro – ende të pa paguara 82,100.00 euro)
Koalicioni Nisma- AKR- PD = 33,900.00 euro (Ka paguar në tersi borxhin)
PREBK = 250.00 euro (Ka paguar në tersi borxhin)
IRDK = 1,200.00 euro (Ka paguar në tersi borxhin)
Koalicioni Sloboda = 5,100.00 euro, Nuk ka paguar
PLE = 1,100.00 euro (Ka paguar në tersi borxhin)
VAKAT = 1,100.00 euro (Nuk ka paguar borxhin)
KDTP = 1,100.00 euro (Ka paguar në tersi borxhin)
PG = 1,100.00 euro (Ka paguar në tersi borxhin)
Kurse: Gjithsej gjoba kanë qenë: 360,000.00 euro
Gjoba të paguara janë: 141,750.00 euro
Gjoba të papaguara mbesin: 218,250.00 euro
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dhënë afatin për aplikimin e partive politike në zgjedhje që mbahen në komunën e Podujevës më 15 mars 2020.
Sipas KQZ-së aplikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve fillon më 8 shkurt dhe përfundon më 17 shkurt 2020.
Por, pavarësisht që sot jemi me datën 12 shkurt në KQZ deri më tash askush nga partitë politike dhe kandidatët nuk kanë aplikuar për certifikim nga ana e KQZ-së.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka thënë për FaktePlus, se deri më tani nuk kanë pranuar ende asnjë aplikim të ndonjë subjekti politik për t’u certifikuar.
“Deri në këto momente që po flasim nuk kemi pranuar akoma ndonjë aplikim të ndonjë subjekti politik për t’u certifikuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje”, ka thënë Elezi.
Sipas tij, afati për aplikim për t’u certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje përfundon më 17 shkurt.
“Sipas afateve të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, afati për aplikim për t’u certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje përfundon më 17 shkurt. Pra, deri në këtë datë subjektet politike (partitë politike, koalicionet, kandidatët e pavarur dhe iniciativat qytetare) duhet të paraqesin aplikimin edhe emrin e kandidatit të tyre për kryetar të komunës’, ka thënë Elezi.
E ndonëse janë ofruar të gjitha afatet për këto zgjedhje, partitë politike ende nuk kanë propozuar kandidatët e tyre për këtë garë./FaktePlus