Partitë politike i lënë pa paga punëtorët
Mos dekretimi i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga ana e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkaktuar telashe të shumëfishta. Përveç që nuk po mund të bëhet zëvendësimi i dhjetëra asamblistëve të partive politike nëpër kuvendet komunale, mos zëvendësimi i një deputeti në Kuvendin e Kosovës, kjo ka lënë edhe shumë punëtorë që punojnë nëpër partitë politike pa paga.
Kjo, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ua ka ndarë partive politike mjetet nga fondi për demokratizimin e partive politike, i cili është 4.2 milionë euro në total.
Vitin e kaluar, me 22 janar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare për partitë politike. Ndërsa, këtë vit edhe pse ka kaluar gjysma e muajit mars, subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, ende nuk kanë marrë asnjë cent nga ky fond.
Problemet me pagat e punëtorëve të partive politike pasi ende nuk i kanë marrë mjetet financiare nga KQZ-ja, e ka konfirmuar edhe nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Isufi e ka quajtur të çuditshme mos dekretimin e anëtarëve të KQZ-së nga ana e presidentit.
“Për neve është e çuditshme pse ka mbetur deri me tani pasi është dashur të zgjidhet më herët tema e KQZ-së, sepse nuk ka mundësi të marrjes së vendimeve dhe shumë asamblistë kanë mbetur pa hyrë për shkak të kësaj, kemi deputetë i cili ende nuk mund të hyjë në Kuvend dhe të bëhet ndërrimi i mjaftueshëm, kemi të partitë fonde ende të pandara sepse KQZ-ja e bënë ndarjen e tyre, njerëzit janë pa paga, kemi pengesa në funksionim”, ka thënë Isufi për FaktePlus.
Numri dy i AAK-së, i ka bërë thirrje që ta kryej këtë proces sa më shpejt.
“Prandaj, sa më shpejt presidenti duhet ta marr vendimin që ta nënshkruaj ekipin që duhet të jetë pjesë e KQZ-së në mënyrë që të funksionoj KQZ-ja. Madje po shihet që edhe zgjedhjet s’mund të shpallen pa pasur KQZ”, theksoi Isufi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve qysh prej 27 marsit të vitit 2018, ka mbetur pa anëtarë, pasi presidenti Hashim Thaçi, vetëm kryetares së KQZ-së, Valdete Daka ia ka vazhduar mandatin, derisa anëtarëve ende jo.
Kreu i shtetit më 7 qershor i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarime se nga sa përfaqësues u takojnë grupeve parlamentare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Por, Gjykata Kushtetuese në vendimin e marrë për këtë çështje në muajin nëntor, e kishte cilësuar si “të papranueshme” kërkesën e presidentit Hashim Thaçi./FaktePlus