Partitë kërkojnë t’i ndërrojnë asamblistët nëpër komuna
Kuvendi i Kosovës nuk është i vetmi institucion i cili po ka telashe nga mosfunksionimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), por janë edhe kuvendet komunale. Për shkak të ngërçit në KQZ, Rafet Rama nuk po arrin të bëhet deputet i PDK-së pas dorëheqjes së Nezir Çoçajt.
Situatë më e komplikuar është nëpër kuvendet komunale. Kërkesat për lëvizje të tilla të asamblistëve janë më të mëdha.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se deri më tani kanë arritur rreth 30 kërkesa për ndryshime nëpër kuvende komunale nga parti të ndryshme.
“Mund t’iu konfirmoj se kemi rreth 30 kërkesa për zëvendësime të anëtarëve të kuvendeve nga komuna të ndryshme të Kosovës. Kërkesat janë nga komuna të ndryshme, si Drenasi, Gjilani, Gjakova, Istogu, Lipjani, Mitrovica, Mitrovica e Veriut, Novobërda, Peja, Podujeva, Prishtina, Prizreni, Rahoveci, Skenderaj, Suhareka, Vitia dhe Zubin Potoku”, ka thënë Elezi për FaktePlus.
Megjithatë, zëvendësimi i tyre ka mbetur peng për shkak të bllokimit të KQZ-së për shkak të mosemërimit të anëtarëve të rinj.
“Zëvendësimi i tyre do të bëhet sapo të kemi mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, theksoi Elezi.
Ndër partitë që kanë kërkuar me së shumti zëvendësime është LDK-ja. Derisa, për komunën e Gjilanit dhe Istogut ka më së shumti kërkesa për zëvendësime të asamblistëve.
Për kuvendin komunal të Gjilanit janë bërë 4 kërkesa për zëvendësimin e asamblistëve. LDK-ja ka kërkuar t’i zëvendësojë dy asamblistë, AAK-ja një dhe KDTP-ja një.
Ndërsa, për kuvendin komunal të Istogut janë bërë tri kërkesa nga partitë politike për t’i zëvendësuar përfaqësuesit e tyre.
Edhe në këtë Komunë LDK-ja ka bërë dy kërkesa për t’i zëvendësuar përfaqësuesi e saj, derisa PDK-ja ka bërë një kërkesë të tillë.
Në shumicën e komunave tjera partitë kanë bërë nga një kërkesë për zëvendësimin e anëtarëve të tyre në kuvendet komunale.
Këto kërkesa nga partitë politike ka kohë që janë bërë, porse mosemërimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së ka bërë që ato të mbesin në sirtarët e këtij institucioni, deri në funksionalizimin e plotë të saj. B. S./FaktePlus