Partitë i paguajnë borxhet prej 250 mijë euro, tash gati për zgjedhje
Si rrallë herë ende pa u caktuar një datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, partitë politike i kanë shlyer borxhet prej qindra mijëra euro që u janë shqiptuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Kështu pasi kanë paguar për shkeljet e bëra në zgjedhjet lokale të 22 tetorit të vitit 2017, subjektet politike nuk kanë pengesa dhe e kanë siguruar pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e ardhshme kurdo që mbahen.
Kujtojmë se shlyerja e borxheve në PZAP është e domosdoshme, pasi në bazë të ligjit aktual në fuqi, asnjë subjekt politik në Kosovë nuk mund të garojë në zgjedhje, nëse nuk paguhen gjobat e shqiptuara për zgjedhjet paraprake nga PZAP-ja.
Por, si asnjëherë më parë subjektet politike që kanë garuar në zgjedhjet lokale të 22 tetorit të vitit 2017, tashmë i kanë paguar gjobat e shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ky organ kishte shqiptuar hiq më pak se 257 mijë euro për subjektet politike që morën pjesë në ato zgjedhje lokale.
Vetëm dy subjekte ende nuk i kanë kryer obligimet ndaj PZAP-it, duke mos i paguar gjobat e shqiptuara. Partia politike Alternativa, ende nuk e ka paguar gjysmën e gjobës, për të cilën është marr vesh me PZAP-in që ta kryej me këste, derisa partia tjetër KTAP nuk e ka paguar fare gjobën e shqiptuar.
Kryesues i sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus, se shumica e subjekteve politike tashmë i kanë paguar gjobat e shqiptuara.
“Shuma e gjobave të shqiptuara për zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017 për të dy raundet, janë gjithsej gjoba të shqiptuara në vlerë prej 257 mijë e 350 euro. Deri më tani janë paguar gjithsej 247 mijë e 850 euro. Ndërsa, kanë mbetur të papaguara edhe 9 mijë 500 euro”, ka thënë Desku.
Subjektet më të mëdha politike në Kosovës, siç janë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Aleanca Kosova e Re (AKR), ishin dënuar më së shumti nga PZAP-ja.
“Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017 në të dy raundet, PZAP-i u kishte shqiptuar gjoba subjekteve politike si në vijim: LDK me 78 mijë e 550 euro. Derisa, ka paguar në tërësi gjobat. PDK me 34 mijë e 950 euro, ndërsa, ka paguar në terësi gjobat prej 34 mijë e 950 euro. Lëvizja Vetëvendosje është dënuar me 39 mijë e 400 euro, por që e ka paguar në tërësi gjobat. AAK u dënua me 17 mijë e 200 euro, ndërsa ka paguar në tërësi gjobat. AKR-ja u dënua me 20 mijë e 50 euro, shumë këtë që e ka paguar në tërësi. NISMA është dënuar 6 mijë e 950 euro dhe i ka paguar në tërësi gjobat. Si dhe Lista Serbe është dënuar me 38 mijë e 550 euro, por që e ka paguar në tërësi këtë borxh”, ka bërë të ditur Mulë Desku për FaktePlus.
Po ashtu, dënime goxha të larta kishin marrë edhe disa subjektet të vogla si shqiptare ashtu edhe të minoriteteve.
“KDTP është dënuar me 2 mijë e 450 euro, por që e ka pasguar në tërësi. PDAK-ja është dënuar me 250 euro,shumë të cilën e ka paguar. PAI ishte dënuar po ashtu me 250 euro, po ashtu i ka paguar në tërësi. Lëvizja për Bashkim, është dënuar me 250 euro dhe e ka paguar në tërësi gjobën. PLE-ja është me 300 euro por e ka paguar në tërësi gjobën. GISDP Oliver Ivanoviq është dënuar me 550 euro por që e ka paguar në tërësi gjobën”, ka theksuar ai.
Ndërsa, dënime kishin marrë edhe dy subjektet tjera, partia Alternativa dhe partia KTAP, të cilat ende nuk i kanë kryer pagesën e dënimit të shqiptuar nga PZAP.
“Alternativa është gjobitur me 15 mijë e 450 euro, ndërsa ka paguar 8 mijë e 150 euro.Kurse pjesën tjetër te borxhit në shumë prej 7 mijë e 300 euro do ta paguaj në këste sipas një marrëveshje/ujdie të arritur në mes të PZAP-it dhe Subjektit Politik Alternativa. Kurse KTAP është dënuar me 2 mijë e 200 euro dhe nuk e ka paguar. PZAP-i në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligjet tjera te aplikueshme të Republikës se Kosovës do të ndërmerr të gjitha veprimet procedurale për inkasimin/Përmbarimin e këtij borxhi nga subjekti politik në fjalë”, ka deklaruar Desku.
Sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, subjektet politike që nuk i shlyejnë gjobat e shqiptuara nga PZAP-i, nuk mund të marrin pjesë në zgjedhjet tjera të ardhshme që mbahen, qoftë lokale apo parlamentare. Por, meqë dënimet tashmë janë paguar subjektet politike nuk kanë pengesa dhe e kanë siguruar pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e ardhshme kurdo që mbahen./FaktePlus